Romë, 14 maj, NOA - Debati për projektligjin e fundit të sigurisë në shtetin italian tashmë kanë arritur në nivelet më të larta të politikës, vetëm një ditë para votimit të tij dhe kalimit të mëpasëm, direkt për në Senat.
"Duhet të shmangen ekseset propagandistike që mbërrijnë nga ky ligj", ka deklaruar kryetari i parlamentit, Gianfranco Fini.
Ndërsa Umberto Bossi, replikon mbi këtë deklaratë të Finit, duke thënë se nëse propaganda nuk bëhet gjatë fushatës elektorale, atëherë kur duhet bërë?
Por projektligji në fjalë ka ngjallur edhe reagimin ndaj qeverisë italiane të komisionerit të lartë për Refugjatët, (UNHCR), i cili ka kritikuar dëbimin e të huajve, pa iu dhënë e drejta e kërkesës së azilit.
Projektiligji për sigurinë, në fakt, ka krijuar një debat të madh në të gjithë Italinë, dhe sidomos ditët e fundit, kur pritet kalimi apo rrëzimi i tij në parlament dhe jo vetëm tek opozita.
Edhe vetë përfaqësues të mazhorancës paraqiten skeptikë ndaj tij, sidomos lidhur me faktin që ta transformosh klandestinitetin në një kundërshti, sipas tyre do të shkaktonte pasoja tek votuesit dhe një reagim të fortë qytetar.
"Besimin ia dhamë që të gjithë qeverisë, - pohon presidenti i ri i komisionit "eco-mafie" Gaetano Pecorella, - megjithëse jemi të mendimit se menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ai do të ketë nevojë për rishikim të tij, sidomos me pikat që kanë të bëjnë me nënat shtatzëna etj.
E ndërsa e majta po organizon një maratonë oratorie proteste në Montecitorio, qeveria e drejtuar nga Berluskoni, duket e vendosur për t'i thënë "Po" një projektligji të tillë.
Vota konkluduese pritet që të jepet nesër, për të kaluar më pas në Senat.
Projektligji i fundit i hartuar nga qeveria italiane mbi sigurinë, trajton çështje të reja të klandestinitetit duke vënë në dukje sesi mjekët në rast të konstatimit të një pacienti klandestin, duhet ta denoncojnë atë.
Hartimi i tij ka gjetur reagimin e menjëhershëm të PD-së italiane, e cila e ka konsideruar atë si një ide antinjerëzore dhe raciste. Ndërsa kisha nga ana e saj ka mbajtur qëndrimin se nuk duhet të ekzistojë asnjë denoncim i tillë.
Një nga pikat kryesore të këtij ligji është edhe taksa e lejes së qëndrimit, e cila mund të shkojë nga 80, në 200 euro, si edhe skedimi i të gjithë të pastrehëve, apo edhe mundësia e denoncimit nga ana e mjekëve të klandestinëve kur i kontstaojnë si të tillë mes pacientëve të tyre.
Nga ana e saj, opozita e ka cilësuar këtë ligj si antinjerëzor dhe turpërues. Për Veltronin, ideja e "mjekëve-policë" është një ide raciste.
Ajo ka paraqitur amendamentin në ligj, sipas të cilit mjeku nuk duhet ta denoncojë pacientin klandestin, i cili u drejtohet strukturave të shëndetit publik për shërbim
Por ky projekt i qeverisë ka gjetur reagimin edhe nga ana e përfaqësuesve të sektorit të mjekësisë, sipas të cilëve ky ligj bie ndesh me normat e kodit deontologjik të mjekëve.
Senatori Daniele Bosone ka thënë se ky ligj bie ndesh me normat e kodit deontologjik të mjekëve, sipas të cilit, klandestinët me sëmundje që i sjellin nga vendet e tyre, nuk do të shkojnë më nëpër spitale, nga frika se mos i denoncojnë, por do të preferojnë të kurohen në mënyrë ilegale.
Ndër shtresat e tjera që kanë reaguar kundër tij, është edhe sektori i punësimit dhe ai social në tërësi, sipas drejtuesve të të cilit, ky projektligj përfaqëson një degradim kulturor, vlerash dhe politik në lidhje me temën e emigracionit.
"Ai jep një mësim të keq mbi principin universal të së drejtës për shëndetin", pohon Morena Piccinini, përgjegjëse e zyrës për emigracionin.
n.e/NOA