Uashington, 14 maj, NOA - Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Beograd do të shmangë takimin me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç dhe do të pranojë të takohet vetëm me presidentin e Serbisë Boris Tadiç dhe me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta "Borba" dhe ai është marrë përsipër të komentohet gjerë nga mediat si një skandal diplomatik i cili ndodh jo për herë të parë me figurën e Jeremiçit.
Një gjë e tillë thuhet përshembull se ka ndodhur edhe gjatë vizitës së kryeministrit kroat Ivo Sanader në Beograd, i cili kohë më parë kishte pranuar të vinte për vizitë në kryeqytetin serb, por me kusht të mos e takonte Jeremiçin, të cilin e kishte cilësuar si përgjegjësin kryesor për përkeqësimin e raporteve mes dy vendeve që kur Kroacia kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Një kërkesë e tillë ishte pranuar nga Tadiç, ndërsa vizita ishte caktuar në një datë kur Jeremiç duhej të qëndronte për vizitë në Turqi. Kjo gazetë po ashtu kujton një skandal, të cilin e kishte shkaktuar Jeremiç në fund të muajit prill gjatë vizitës së tij në Uashington, kur kishte gënjyer se e kishte takuar këshilltarin e nënpresidentit amerikan Biden, Anthony Blinken.
Kur ai në fakt e kishte pritur atë të vinte në takim, por kishte marrë mesazhin se ai nuk mund të vinte dot. E megjithatë, Jeremiç deklaroi se ishte takuar me të.
n.e/NOA