English

Kryeministri pranon dorëheqjen e Duros, propozon Gumin si ministër të përkohshëm

Tiranë, 14 maj/NOA/Update - Kryeministri Sali Berisha pranoi sot në mesditë, dorëheqjen e dhënë më herët nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro.

Këtë e pohoi zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani në një dalje të posaçme për gazetarët.

Meçani tha se kryeministri e ka pranuar largimin nga detyra të ministrit Duro dhe konfirmoi se po i dërgohet Presidentit për miratim, emri i ri për ministër të Punës, deri në përfundim të mandatit aktual të qeverisë.

"Kryeministri Sali Berisha, priti ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Anastas Duro, i cili, duke i shprehur Kryeministrit vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, paraqiti dorëheqjen e tij, pas faktit se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut  u nda nga koalicioni qeveritar dhe kaloi në koalicionin opozitar".

Meçani citoi se "Kryeministri falënderoi z. Anastas Duro për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post".

Kryeministri ka propozuar z.Viktor Gumi, për ministër të përkohshëm të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Kush është Viktor Gumi

Me propozimin e Kryeministrit, i është kërkuar Presidentit, dekretimi i ministrit të ri të, Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Viktor Gumi. Ai cilësohet si njohës i thellë i ligjit në të gjitha fushat e administrimit gjyqësor dhe nga 20 qershori i vitit 2008 ishte zëvendësministër i Drejtësisë.

Më herët, Gumi, ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm i Kodifikimit të cilën e mori në vitin 2006 pas shtatë viteve eksperiencë si këshilltar dhe Drejtor i Departamentit Juridik në Parlament.

Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të Venecias, i bordit të Shkollës së Magjistraturës si dhe që prej 2006, pedagog i jashtëm në këtë shkollë. Gumi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1996. Eshtë i certifikuara në kursin afatgjatë për Draftimin Ligjor nga RIPA Internacional -London (distinction) si dhe zotëron LLM në Internacional Human Rights Laë, University of Essex , United Kingdom (distinction). Njeh gjuhët anglisht dhe italisht.

e.l/NOA

KOMENTE