Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, thotë se Kosova ndodhet para sfidash të mëdha, megjithatë ai është i kënaqur me qëndrueshmërinë në vend pas shpalljes së pavarësisë.
Si do ta përshkruanit përparimin e bërë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë?
- Mendoj se në përgjithësi ka një përparim të mirë në fronte të ndryshme. Për sa i përket qëndrueshmërisë, me përjashtim të gjendjes në veri, Kosova ka qenë e qëndrueshme deri në atë pikë saqë NATO-ja me kalimin e kohës mund të fillojë të mendojë se sa e madhe do të jetë në të ardhmen prania e KFOR-it në Kosovë, a duhet ruajtuar ajo siç është apo duhet zvogëluar.
Ka pasur ndonjë plan nga NATO-ja?
- Ende jo. Mendoj se jemi në fillim fare të një procesi të gjatë dhe nuk mendoj që ministrat e NATO-s e kanë diskutuar këtë çështje, por ka shumë mundësi që ata ta bëjnë këtë në qershor. Pika e dytë, janë reformat. Qeveria ka marrë përsipër të kryejë një numër reformash për qeverisje më të mirë. Unë do të përmendja decentralizimin si një nga më kryesoret e këtyre përpjekjeve, sepse decentralizimi është një nga vlerat e Bashkimit Evropian, për t'i çuar vendim-marrjet dhe shërbimet e komunave më pranë qytetarëve, që qytetarët ta thonë më mirë fjalën e tyre për mënyrën se si mund të ofrohen më mirë një numër shërbimesh. Por do të përmendja gjithashtu reformën ekonomike, privatizimin, disiplinën fiskale. Të gjitha këto çështje të reformës janë lart në rendin e ditës dhe po çohen përpara.
Po sundimi i ligjit, që është një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së misionit të BE-së në Kosovë?
- Ashtu është, dhe unë do t'i kthehem kësaj. Dua të them se sundimi i ligjit përfshin luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por unë do të përmendja gjithashtu ngritjen e një gjykate kushtetuese, që shpresoj të bëhet në javët e ardhshme. Dhe mendoj se ky do të jetë një gur tjetër kilometrik, duke folur si Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, në ngritjen e institucioneve në Kosovë. Së fundi, si një element i tretë, është ripajtimi, dialogu me Beogradin, integrimi i komunitetit serb. E shoh që qeveria është e angazhuar në këto çështje, megjithëse do të më kishte pëlqyer të ndodhte një dialog më i lehtë dhe me më vetëbesim që do të ishte produktiv, që do të merrej me çështje praktike dhe kjo do të ishte në të mirë të të gjithëve në rajon.
Le të flasim për disa nga sfidat, duke filluar me mënyrën se si po vepron zyra juaj në Kosovë, në kushtet kur misioni i OKB-së ende vepron, megjithëse me një mandat dhe personel më të kufizuar. A ka qenë e lehtë rruga?
- Jo fillimisht, por tani ndërsa statusi i UNMIK-ut po rikonfigurohet në përputhje me raportet e Sekretarit të Përgjithshëm, mendoj se profili i komunitetit ndërkombëtar është bërë tani më i qartë dhe më koherent përsëri. Zyra ime është Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Mendoj se tani është e qartë se Bashkimi Evropian është një aktor udhëheqës në Kosovë, ai ka marrë përsipër funksionet e sundimit të ligjit nga UNMIK-u dhe është bashkëbiseduesi kyesor për qeverinë. Si përfaqësues civil ndërkombëtar kam mandatin për të supervizuar zbatimin e paketës Ahtisaari. Dhe mendoj se në këtë drejtim janë ndërmarrë hapa të mëdha përpara, me institucione të reja, Kosova duke u njohur më shumë ndërkombëtarisht, përfshirë edhe organizata kyçe ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Dhe, një nga sfidat është që misioni juaj të jetë operacional në të gjithë Kosovën, përfshirë Mitrovicën në veri. A ka pasur ndonjë përparim qëkur erdhët në fillim në Kosovë?
- Gjendja në veri është e vështirë. Mendoj që keni të drejtë se është zhgënjyese që komuntetit ndërkombëtar nuk i është dhënë qasje në veri për të bërë punën e tij. Pra, zyra ime po punon në dhe për veriun. Kemi një zyrë në jug të lumit Ibër, EULEX-i ka shkuar në veri për të kryer misionin e tij, por një numër detyrash duhen filluar, si p.sh. mbledhja e të ardhurave nga doganat në pikat kufitare, por më gjerë komisioni dhe komuniteti donator nuk kanë mundur të kenë qasje në rindërtimin si dhe të ndihmojnë qytetarët në veri aq sa do të kishin dashur.
Ju përmendët që nuk ju është dhënë qasje, por nga kush?
- Nga mbështetësit e vijës së ashpër në veri, nga serbët kosovarë të vijës së ashpër në veri, njerëz që nuk kanë legjitimitet. Ka dhunë dhe frikësime çdo ditë, dhunë ndaj stafit ndërkombëtar të EULEX-it dhe KFOR-it, dhe mendoj se kjo duhet të ndalet.
Dhe si duhet bërë kjo?
- Ne kemi nevojë, sigurisht, për bashkëpunimin me Beogradin. Beogradi thotë se nuk është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për këtë gjendje, dhe unë jam i gatshëm ta pranoj këtë, por sigurisht që ka lidhje që shkojnë në Beograd për sa u përket burimeve, apo për sa i përket përkatësisë politike. Pra, kjo gjë duhet zgjidhur. Ne po diskutojmë me qeverinë në Beograd, dhe shpresoj se në një fazë të fillimit ne mund të shohim disa nga udhëheqësit e vet-shpallur të largohen nga skena në veri për t'u zëvendësuar nga përfaqësues të zgjedhur të popullit.
A jeni në kontakte me Beogradin dhe në çfarë niveli?
- Unë jam në kontakt, sepse Bashkimi Evropian po ndjek një dialog aktiv me Beogradin dhe unë jam përfaqësues zyrtar i Bashkimit Evropian. Ne kemi një përfaqësues në Beograd, unë nuk kam kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarët serbë, por ne kemi kontaktet që na nevojiten për të na ndihmuar të ndjekim objektivat tonë në rajon.
A jeni i kënaqur me atë që përceptohet si mungesë përpjekjesh nga komunteti serb në Kosovë për t'u integruar? Ju përmendët se kjo ishte një nga sfidat më të mëdha.
- Është një nga sfidat më të mëdha, sepse ne presim një pjesëmarrje të serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale më vonë këtë vit dhe komunitetit serb të Kosovës po i ofrohen mundësi për t'u integruar nëpërmjet tri rrugëve: një është decentralizimi, komuniteti serb i Kosovës do të jetë shumicë në pesë plus një komuna, sapo ne t'i kemi krijuar këto komuna më vonë gjatë vitit; së dyti në arsim, qeveria, me ndihmën e zyrës sime, ka hyrë në një rrugë për krijimin e programeve shkollore për serbët e Kosovës në nivelet e shkollave fillore dhe të mesme, që fëmijët serbë të Kosovës të marrin mësime në gjuhën e tyre duke filluar në vitin akademik 2010-2011, pra kjo është e rëndësishme; dhe e treta, mbrojtja e trashëgimisë fetare dhe kulturore. Shpresoj se do të ecim përpara me disa masa që unë shpresoj të marr. Ato do të jenë pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian në rajon, por ato do të mbështeten shpresoj, gjithashtu, nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Beogradi.
A mendoni se serbët në Kosovë po bëjnë një jetë paralele dhe e kanë vështrimin më shumë nga Beogradi sesa nga Prishtina, megjithëse një raport i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) thotë se, të paktën nga ana financiare, varësia e tyre nga Serbia po bie?
- Kjo është një analizë e saktë, dhe kjo ka të bëjë me krizën. Komuniteti serb i Kosovës tradicionalisht ka kërkuar udhëheqësi nga Beogradi, dhe unë shpresoj që Beogradi t'i japë komuntietit serb të Kosovës inkurajim pozitiv që të luajnë rol, përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet komunale. Në kontaktet e mia të përditshme me përfaqësues serbë, ndjej se ka një interes në rritje të angazhimit jo vetëm me zyrën time, por edhe me institucionet qendrore. Ne kemi përzgjedhur tani ekipet punuese të komunave për të krijuar këto komunat e reja, pesë plus një, dhe numri i kandidatëve të interesuar që kanë reaguar, përfshirë në një masë të madhe serbë, ka qenë shumë inkurajues. Pra, ne kemi një numër të mjaftueshëm serbësh që janë të gatshëm të punojnë për këtë çështje prioritare.
Më parë përmendët marrëdhëniet tuaja me Beogradin, por si do t'i përshkruanit marrëdhëniet tuaja me Prishtinën?
- Me Beogradin, do të thoja, që jam i hapur për kontakte të drejtëpërdrejta dhe mendoj se autoritetet serbe janë plotësisht të vetëdijshme për këtë. Me Prishtinën, unë jam këshilltari, por edhe supervizori. Unë ndjek çdo ditë se çfarë ligjesh miratohen, çfarë emërimesh bëhen dhe se si shkon zbatimi i ligjeve, me theks të veçantë në respetimin e të drejtave të pakicës. Dhe së dyti, do të thoja, jam veçanërisht i gatshëm të ndihmoj dhe supervizoj politikat e qeverisë për trajtimin e buxhetit, përgjegjësitë fiskale, provatizimin dhe axhendën e reformave për ekonominë, sepse është e qartë për të gjithë në Prishtinë se ekonomia është në gjendje të rëndë, kësaj i shtohet edhe kriza, dhe se buxheti mund të mos jetë i qëndrueshëm nëse nuk ka një fushatë të fuqishme për të privatizuar disa nga sektorët kyç.
Ju keni thënë se do të ndërhyni nëse autoritetet e zgjedhura të Kosovës, presidenti, parlamenti, qeveria, ndërmarrin hapa në kundërshtim me planin Ahtisaari. A ka pasur ndonjë rast kur ju keni qenë pranë ndërhyrjes?
- Gjithnjë kam preferuar të punoj mbi bazën e bindjes miqësore dhe dialogut intensiv me udhëheqjen në Prishtinë dhe jo të përdor autoritetin ekzekutiv, dhe shpresoj që të mund ta vazhdojmë këtë traditë. Mendoj se kështu është shumë më mirë dhe nxjerr në pah parimin e pronësisë dhe përgjegjësisë vendase. Dhe mendoj se është një meritë e madhe e qeverisë që ka ndjekur politika bazuar në angazhimin e tyre të fuqishëm ndaj planit Ahtisaari dhe nuk janë shmagur nga kjo.
Mendoni se ata duhet të fillojnë dialogun ne Beogradin në këtë moment?
- Kjo është një nga pikat për të cilat ne po përpiqemi të bindim udhëheqjen. E dijmë se ka shumë ndjeshmëri dhe jam i vetëdijshmë se ekziston një rast gjyqësor në Hagë bazuar në opinionin këshillues për legjitimitetin e pavarësisë, një nismë e Serbisë. Pra, duke pasur këtë në sfond, është gjithashtu e rëndësishme për autoritetet në Prishtinë që të demonstrojnë se ata kanë të gjitha atributet e një shteti, por, megjithatë, dialogu me Beogradin nuk duhet të jetë përjashtues i përpjekjeve të tyre për të paraqitur rastin e tyre në Hagë. Dhe unë besoj se integrimi rajonal është diçka e rëndësishme për Bashkimin Evropian, që të shohim që shtetet aspirante për anëtarësi të ecin përpara mbi bazën e asaj se kanë të paktën kontekst praktik ndërkufitar me njëri-tjetrin, pa paragjykuar parimin e pozicioneve në lidhje me statusin. Pra, mund të keni një kontekst praktik megjithëse nuk e njihnm njëri-tjetrin.
Çfarë prisni ju të jenë zhvillimet kryesore që ju prisni të ndodhin në Kosovë gjatë vitit 2009?
- Mendoj se në fillim janë zgjedhjet komunale që mund të mbahen në nëntor. I përket presidentit të vendosë. Ai ende nuk ka vendosur për datën kur do të mbahen zgjedhjet, por ai do të fillojë shumë shpejt të konsultohet me udhëheqësit politikë.
Përfshirë ju, zyrën tuaj?
- Ne jemi në kontakt me presidentin dhe kryeministrin lidhur me këtë çështje, gjithashtu, po, sepse është një element, një kërkesë në Planin Ahtisaari. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen nga fundi i vitit 2011. Duhet të ketë një numërim të popullsisë që do të organizohet në fillim të vitit 2011 dhe ka edhe një numër ngjarjesh të tjera të rëndësishme në kalendar, si për shembull studimi i fizibilitetit që Kosova të kalojë në procesin e stabilizimit e asociimit, dhe ky studim do të kryhet më vonë këtë vit nga komisioni. Do të ketë një raport të përparimit. Pra, ka një numër afatesh të rëndësishme që janë vendosur dhe për të cilat duhet punuar.
BBC