Gjilan, 14 maj, NOA - Një person që ishte duke tentuar të vriste veten ka arritur të shpëtojë vetëm falë ndërhyrjes së forcave policore.
Ngjarja ka ndodhur në Gjilan të Kosovës dhe sipas të dhënave rreth saj, sapo policia ka marrë informacion për tentativën e vetëvrasjes së një serbi kosovar 61-vjeçar nga fshati Çuljkovc i Novobërdës, ka vendosur të ndërhyjë për ta shmangur aktin tragjik.
Njësitet patrulluese kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes dhe të ndihmuar nga familjarët e viktimës e kanë lokalizuar vendin e ngjarjes, që ishte një pus dhe e kanë gjetur plakun për të cilin fillimisht nuk dihej se a është gjallë.
Bëhet e ditur se njëri nga policët patrullues, ka hyrë menjëherë në pusin e thellë 24 metra për ta shpëtuar plakun i cili po mbahej nëpër muret e pusit, me këmbë e duar. Polici e ka lidhur plakun me një litar e pastaj të ndihmuar nga policë të tjerë dhe familjarë kanë arritur që ta nxjerrin të gjallë nga pusi.
Atij i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, e pastaj ai është transportuar në spitalin e Gjilanit.
Në bazë të deklaratave të familjarëve, besohet se ai ka patur probleme shëndetësore.
n.e/NOA