English

PSV 91, pakt për zgjedhjet me amerikanen Genesis Communications Group

Tiranë, 14 maj/NOA - Partia Socialiste e Vërtetë '91 (PSV 91), nënshkruan marrëveshjen për mbështetje në zgjedhje me shoqërinë amerikane "Genesis Communications Group".

Petro Koçi, kryetar i kësaj partie, doli para gazetarëve në një konferencë ku shpjegoi vendimin për bashkëpunim me shoqëri të huaj.

"Partia Socialiste e Vërtetë 91 dhe unë si kryetar i saj, jemi përpjekur gjithmonë të ndërtojmë dhe të promovojmë disa vlera thelbësore si drejtësia, ndershmëria, integriteti dhe loja e pastër politike", - tha Koçi.

"Në mënyrë që të dëshmoj më tej përkushtimin tim ndaj këtyre vlerave, - vijoi ai, - kam siguruar mbështetjen e ekipit amerikan të Genesis Communications Group, një grup ndërkombëtar këshillimor me reputacion, i cili gjithmonë ka punuar për të mbrojtur të njëjtat vlera".

Koçi tregoi se në komunikimin elektoral gjatë fushatës do të trajtojë çështje me interes jetësor për qytetarët shqiptarë, dhe shtoi se ‘është objektivi im që të siguroj që ky diskutim të zhvillohet në mënyrën më të lirë dhe më të paanshme të mundshme".

PSV 91 sipas Koçit, mbështet plotësisht punën e komunitetit ndërkombëtar që po bëhet në këtë drejtim, "sidomos monitorimin profesional dhe të paanshëm të OSBE-ODIHR".

Ndërsa për shoqërinë amerikane, ka folur përfaqësuesi i saj, Chris Farmer.

Ai tha se "ne qëndrojmë pranë z. Petro Koçi dhe partisë së tij, pasi po mbështesim vlerat e tij politike, përkushtimit te tij Euro-Atlantik, principeve të tij dhe punës së tij për një proces të drejtë zgjedhor".

e.l/NOA

KOMENTE