Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Të nderuar prokurorë, Fillojmë mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Sikurse jeni në dijeni axhenda e kësaj mbledhjeje është e ngarkuar, jo thjesht për shkak të akumulimit të natyrshëm të problemeve, por edhe për shkak të çështjeve, që dalin rishtaz dhe që janë objekt i punës së KLD-së. Padyshim, ajo që dëshiroj të ritheksoj është që puna e këtij Këshilli duhet të jetë në kohezion të plotë me të gjitha tendencat për reformimin e vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë. Është bërë e natyrshme që kohë pas kohe të japim mesazhet e duhura në raste evenimentesh siç ishte Dita e Drejtësisë, por sigurisht, këtu jemi në atë strukturë të rëndësishme të qeverisë së gjyqësorit, kështu që në këtë tryezë, më shumë sesa mesazhe, punohet për të reformuar drejtësinë. Një nga pikat që e konsideroj të rëndësishme për t'u cituar, sepse ka dhe akses në absorbimin për opinionin publik, është nevoja për të riparë organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Ju e dini që kemi pasur, e kam fjalën për gjykatat e shkallës së parë, kemi pasur një procedurë të realizuar që në gushtin e vitit 2007 dhe është mirë që gjërat që realizohen, duhen parë dhe hap pas hapi se si cili është impakti i tyre dhe nevoja për t'i reformuar. Kam parasysh këtu reduktimin e disa gjykatave, organizimin e gjykatës, që janë edhe nevojë për ta riparë dhe unë këtë e konsideroj paraprakisht të arsyeshme. Ne kemi nevojë të shikojmë dhe propozimin e Ministrit, të arsyetojmë drejtë për atë propozim dhe në fund fare të vendosim. Një folder tjetër patjetër do të bëja edhe për atë që është folur gjerë e gjatë kohët e fundit, për Gjykatën Administrative. Nuk e mora fjalën këtu për të komentuar ecurinë e procesit që do të ndodhë dhe synohet që institucionet të rikonstruktohen por e mora për t'ju falenderuar për kontributin që keni dhënë, për mendimet, për profesionalizmin dhe ajo që unë kam konstatuar është jo vetëm bashkëpunimi i frytshëm, por ka qenë edhe profesionalizmi i treguar, sepse keni qenë profesionalisht në sintoni të plotë edhe me mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë. Si Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, padyshim, duke parë edhe preokupacionin, nevojën e krijimit të kësaj Gjykate, do të thoja preokupacionin publik dhe specifik, që ka të bëjë me grupet e interesit, do të thoja që do të ishte mjaft mirë që Gjykata Administrative të realizohet në një kohë sa më të shpejtë për t'i ardhur në ndihmë pikërisht asaj kategorie, për një mijë arsye, për shkak të këtij organizimi shpeshherë futen në procedura të zgjatura dhe nuk arrijnë të marrin përgjigje. Biznesi është biznes. Drejtësia është për të gjithë, por, duke marrë në konsideratë gjithashtu edhe vlerën e jashtëzakonshme do të thoja edhe të gjykatave të posaçme, ne e kemi konkretizuar me rolin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, dhe Gjykata Administrative duke trajtuar problemet specifike, sikurse ka pasur impakt të jashtëzakonshëm, qoftë përsa i përket realizimit, qoftë përsa i përket realizmit, sepse kemi të bëjmë me sfera specifike, me kualifikime specifike, përfitimin e eksperiencave të vyera në një kurs dhe një drejtim të caktuar dhe për paralelizëm do të thoja që edhe Gjykata Administrative do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm në efikasitetin e punës së drejtësisë. Sikurse thashë, i takon politikës, i takon vullnetit të tyre. Unë si President i Republikës dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i inkurajoj pikërisht që Ligji për krijimin e Gjykatës Administrative të stimulohet, duke marrë në konsideratë që është ezauruar, ose janë ezauruar të gjitha hallkat e procesit konsultativ dhe mbeten vetëm për çështje të vendimmarrjes politike. Natyrisht që do të kemi rastin të diskutojmë edhe për çështje të penaliteteve proceduriale. Ky është një proces sa akumulativ, aq edhe një proces që mund të krijohet edhe në raste të reja, pa ardhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por apeli im do të ishte ky: apel publik që ka të bëjë jo thjesht me politikanët, ka të bëjë dhe me qytetarët. Sikurse juve të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë e konstatoni çdo ditë, ashtu po e konstaton edhe qytetari i thjeshtë, kërkojmë që gjithçka të formalizohet në mënyrë që shteti i së drejtës të realizohet së pari në formatin e tij dhe pastaj kuptohet në substancën e tij. Ne do të operojmë në mënyrë të padiskutueshme, me shumë objektivitet dhe do t'i bëja thirrje të gjithëve që të gjithë të ndjekin rrugën institucionale të kërkimit të së drejtës. Nuk dëshiroj të bëj komente, sepse të gjithë jeni të azhornuar me apelet publike që kemi bërë herë pas here për shqetësimet që kanë njerëzit, por të gjithë pa përjashtim duhet të dinë që shqetësimet e tyre t'i kanalizojnë në rrugë ligjore e të mos përdorin rrugë të tërthorta. Ky është apeli më i rëndësishëm për t'i dhënë fytyrën e vërtetë shtetit ligjor, i cili funksionon mbi bazën e institucioneve, të institucioneve serioze, mbi bazën e reputacionit të gjyqtarëve seriozë dhe unë jam i bindur që ne çdo ditë bëjmë progres në këtë linjë. Meqenëse jemi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, tërë këtë apel mbi bazën edhe të një optimizmi real, e keni pikërisht, sepse brenda një periudhe relativisht të shkurtër, perceptimi publik ka ndryshuar. Sikurse kemi pasur kurajon një vit më parë të pranojmë që ky sistem vërtet vuan, natyrisht sot nuk mund të them që nuk vuan, por vuan më pak. Dhe jam i bindur që një vit më vonë perceptimi publik, i cili është shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë pikërisht me kredibilitetin publik të institucioneve të drejtësisë tek ata që kanë nevojë tek marrja e drejtësisë, patjetër që do të rritet! Do të rritet, sepse edhe preokupacioni i këtij Këshilli është që ta realizojmë punën edhe në kushtet kur duhet të marrë vendim për kolegët e vet. Ajo që kam thënë herë tjetër, e them edhe sot, kërkoj objektivitet! Nuk ka shanse që sistemi i drejtësisë të shëndetësohet pa operuar edhe në këtë linjë. Natyrisht gjykimi presupozon transparencë, paanshmëri, jo subjektivitet, objektivitet, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të japim shansin që të kemi një sistem drejtësie sa më pak të korruptuar dhe sa më shumë në funksion të qytetarëve për të dhënë drejtësinë".
(*) Fjala e mbajtur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë