Tiranë, 14 maj, NOA - Pak para përfundimit të afatit zyrtar në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, kanë arritur të regjistrohen brenda tij katër koalicionet politike të cilat do të garojnë me njëri-tjetrin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Sipas të dhënave pranë institucionit që organizon dhe mbikëqyr zgjedhjet, Partia Socialiste nga ana e saj ka depozituar kërkesën për koalicionin "Bashkimi për ndryshim" pasi priti edhe vendimin e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, e cila në fund vendosi t'i bashkëngjitej këtij koalicioni politik për zgjedhjet e 28 qershorit.
Koalicioni i kryesuar nga PS ka në përbërjen e tij PS, PSD, PDS, PBDNJ, dhe G99. Ndërsa koalicioni tjetër i regjistruar në KQZ, ai i së djathtës, nën siglën "Shqipëria po ndryshon" kryesohet nga Partia Demokratike dhe në përbërjen e tij ka 10 parti, mes të cilave PR, LDK, PBK etj. Nga ana tjetër, në KQZ është regjistruar edhe koalicioni tjetër i partive të majta udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim, me siglën "Aleanca Socialiste për Integrim" i cili ka në përbërjen e tij edhe PSV 91, Partia e Gjelbër e Shqipërisë, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigranteve dhe Partia Tolerenca e Re që mbron të drejtat e komunitetit rom. Ndërsa koalicioni "Poli i lirisë" ka qenë i pari që është regjistruar në KQZ.
n.e/NOA