English

Vetëvendosje: UNMIK-u vazhdon krimin e filluar më 10 shkurt

Prishtinë, 14 maj NOA - UNMIK-u prapë po e ndalon seancën e hapur dëgjimore për 10 Shkurtin, e cila planifikohej të mbahej më 4 qershor të këtij viti, njofton lëvizja Vetëvendosje.

Ajo informon se Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut ka vendosur dje që ta anulojë tërësisht seancën dëgjimore për 10 Shkurtin, për shkak se UNMIK-u i ka thënë Panelit se, në kohë të duhur, PSSP-ja do ta lëshojë një urdhëresë administrative me të cilën do t'ia ndryshojë kuptimin ‘seancës dëgjimore'.

Arbitraritetit të UNMIK-ut tashmë iu shtua edhe arbitrariteti i Panelit, pohon Vetëvendosje.

Lëvizja vë në dukje se UNMIK-u qysh prej fillimit ka qenë i interesuar që për 10 Shkurtin të mos flitet fare.

Madje as edhe në një seancë dëgjimore pranë një Paneli (vetëm) Këshillues i cili nuk ka asnjë ingerencë juridike e as politike përmbi UNMIK-un si organ pushteti absolut.

"Kur seanca e parë e caktuar të mbahej më 19 mars po afrohej, UNMIK-u shpiku një kërcënim serioz sigurie që i kanosej secilit objekt publik në Prishtinë, përveç objektit të UNMIK-ut", vëren lëvizja.

Ajo shton se këtë shpikje UNMIK-u e bëri publike një ditë para datës kur duhej të mbahej seanca.

Pas insistimit të familjarëve të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si dhe Zenel Zenelit e Mustafë Nervjovajt, Paneli u detyrua që ta caktojë një datë tjetër për mbajtjen e seancës. Kjo datë ishte 4 qershori. Tashmë, 3 javë para 4 qershorit UNMIK-u po insiston që ta ndryshojë kuptimin e seancës dëgjimore, për t'ia përshtatur formatin e saj heshtjes së të vërtetës kriminale të UNMIK-ut.

E tëra kjo për t'i keqtrajtuar familjet e Arbenit dhe Monit, si dhe me shpresë se ato do të heqin dorë nga kërkesa për zbardhje të së vërtetës për 10 Shkurtin.

Ndërkohë që Paneli, i cili e ka paraqitur veten si një organ i pavarur dhe paanshëm, tash përfundimisht doli në anën e UNMIK-ut dhe po e ndihmon atë aktivisht në vazhdimin e krimit që kishte filluar më 10 shkurt 2007.

"Kërcënimit të UNMIK-ut me ndryshim të natyrës së seancës dëgjimore Paneli i është përgjigjur me anulim të seancës në tërësi, duke ia plotësuar kështu dëshirën më të thellë të UNMIK-ut - fshehjen dhe harresën e krimit të 10 Shkurtit", konstaton Vetëvendosje.

Ajo vëren se mosmbajtja e seancës, pra mospublikimi i qartë dhe faktik i së vërtetës për 10 Shkurtin përveç që nënkupton fshehjen e natyrës dhe praktikës kriminale të UNMIK-ut, ka edhe një funksion tjetër - atë të fshehjes së karakterit dhe potencialit kriminal të misioneve policore si të tilla.

Për Vetëvendosjen, misionet me policë të huaj, të komanduar nga jashtë, me imunitet ndaj ligjit, për të cilët zbatimi i urdhrit të eprorit është fillimi dhe fundi i kodit moral domosdo shpërthejnë në dhunë ndaj qytetarëve.

Në këtë pikë, lëvizja konstaton se përderisa UNMIK-u po e hesht të vërtetën, institucionet e Kosovës po heshtin vetvetiu.

"Ato as edhe një herë nuk kanë reaguar kundër këtij trajtimi që po ua bën UNMIK-u familjeve të të vrarëve dhe atyre të plagosur rëndë më 10 shkurt 2007. Këto institucione dhe këta politikanë janë po ata të njëjtit të cilët heshtën më 10 shkurt 2007, dhe i fajësuan Monin dhe Arbenin pse i kishte vrarë policia e UNMIK-ut. Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, i tërë grupi negociator ishin atë ditë në helikopterë të KFOR-it. Dhe kanë heshtur që nga ajo ditë. Kurrë nuk kanë treguar se si u vendos të vriten demonstruesit paqësorë. Prandaj po heshtin edhe sot", vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.

a.b/NOA

KOMENTE