Durrës, 15 maj/NOA - Një djalë në moshë të re ka gjetur vdekjen sot në plazhin pranë qytetit të Durrësit dhe për të zbardhur ngjarjen, është shoqëruar një zyrtar i kompanisë që ndërtonte pallatin ku ra i ndjeri.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09.40 kur 21-vjeçari Saimir Benja, lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen nr 18 Kënetë të Durrësit, ka ka rënë nga në pallat në ndërtim.
Tragjedia ndodhi në lagjen nr 13 Plazh, në afërsi të Restorant "Benilva" te Shkëmbi i Kavajës.
Mjekët në spitalin e Durrësit ku u dërgua me shpejtësi i riu, thanë se ai ka mbërritur atje i vdekur.
"Saimir Benja, nuk ka mundur të mbijetojë pasi dëmtimet e pësuara nga rënia në lartësi ishin të mëdha ndaj ai ka ndërruar jetë rrugës për në urgjencë", deklaruan për NOA, burime zyrtare në Spitalin e Durrësit.
Sajmir Benja ishte punëtor ndërtimi dhe punonte në pallatin nga i cili është rrëzuar.
Dëshmitarët treguan për agjencinë NOA se 21-vjeçari i ardhur nga jugu, në një moment ende të paqartë, ndërsa punonte në një nga katet e larta të pallatit në ndërtim, ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë fatalist.
Në lidhje me ngjarjen, një grup hetimor u ngrit nga policia e Durrësit. Për të sqaruar tragjedinë, është shoqëruar në ambientet e Policisë, Përgjegjësi i Sigurisë së punimeve të Firmës ndërtuese, Adriatik Hasa dhe shtoi se "po vazhdon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur".
a.a/NOA