Prishtinë, 15 maj, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë, për ditën e Premte, 15 Maj 2009.
Ky është një shërbim që ofrohet me pagesë nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.
Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al
Argument kryesor tek e përditshmja
"Zëri", është sot, vendosja e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë. "Zëri" ka vënë në dukje se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, në nivel ambasadash në Prishtinë, në Shkup dhe në Podgoricë, ka rëndësi të veçantë për zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit. Duke vënë në pah se njohja e Kosovës nga dy vendet fqinje ishte pritur mirë prej shteteve perëndimore, gazeta thekson se që nga njohja e Kosovës nga Shkupi dhe Podgorica zyrtare nuk janë ndërmarrë hapat e pritur dhe gjithsesi të nevojshëm të kompletimit të të gjitha procedurave të kërkuara në këtë rast, të cilat, sipas "Zërit", do të nënkuptonin edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel të ambasadave në tri kryeqytetet përkatëse. Përndryshe, gjendja aktuale në këtë segment shumë të rëndësishëm diplomatik të Kosovës, realisht është e panjohur për opinionin kosovar, sepse nuk ka pasur sqarime të duhura nga vetë Qeveria e Kosovës, ndërsa Shkupi dhe Podgorica zyrtare kanë hezituar ta trajtojnë publikisht këtë temë, që parimisht është e ndjeshme në marrëdhëniet midis dy shteteve, shkruan midis tjerash e përditshmja "Zëri".
"Zëri", tjetër shkrim qendror sot ka përgatitjen për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. "Sejdiu emëron shefin e KQZ-së, por nuk i fillon këtë javë konsultimet për zgjedhjet", mban titullin shkrimi kryesor i gazetës. Presidenti i Republikës se Kosovës, Fatmir Sejdiu, të enjten ka emëruar anëtaren e Gjykatës Supreme të Kosovës, Nesrin Lushta, në detyrën e kryetares se KQZ-së, post ky i lënë zbrazët nga Zait Xhemajli, i cili që nga dita e martë ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Nga fillimi i javës se ardhshme pritet që presidenti Sejdiu të fillojë edhe konsultimet me të gjitha subjektet politike në vend për përcaktimin e datës se zgjedhjeve lokale. Opozita thotë se ngjarjet në KQZ po ndikojnë edhe në tensionimin e situatës politike në vend. Express sot në ballinë sjell një intervistë me Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, me titull, "Tash, reformat". Viti 2010 do të jetë vit i risive për arsimin kosovar. Pushimi veror për shkollat fillore nuk do të jetë më tre muaj. Prej vitit të ardhshëm, nxënësit do të pushojnë më së shumti dy muaj, kurse pushimi do të zëvendësohet gjatë vitit. Maturantët nuk do të kenë stres të dyfishtë. Provimi pranues në fakultete do t'i takojë së kaluarës. Parakusht për pranim në fakultet do të jetë vetëm kalimi i testit të maturës. Universiteti i Prishtinës nuk do të ndahet, por do të ketë një universitet të dytë publik. Intervistën mund ta lexoni të plotë në faqen 8 dhe 9. Shkrim tjetër i dytë në Express është ai për lajmin se kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli ka mundësi të konkurroj për kryetar të Komunës se Prishtinës. Shkrimi ka titullin "Mendohet për Prishtinën". Behgjet Pacolli nuk e mohon mundësinë e kandidimit për Kryetar të Prishtinës. Ai beson se do të ishte fat i madh për kryeqytetin nëse qeveriset nga AKR-ja. Megjithatë, zyrtarizimi i kandidatit të AKR-së për Prishtinën bëhet kah mesi i korrikut. Shkrimi i plotë mund të lexohet në faqen 6. Në intervistën dhënë të së përditshmes "Express", ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka theksuar se viti 2010 do të sjellë risi në arsimin kosovar. Hoxhaj ka paralajmëruar reforma që do të përfshijnë pushimin veror të shkollave, i cili tash e tutje do të jetë dy muaj, ndërsa provimi pranues në fakultete, sipas Hoxhajt, do t'i takojë të kaluarës, sepse, parakusht për regjistrim në fakultet do të jetë vetëm kalimi i testit të maturës. Ndërsa, sa i përket Universitetit të Prishtinës, ministri Hoxhaj i ka thënë gazetës "Express" se ky institucion nuk do të ndahet, por do të ketë një universitet të dytë.
Përkundër deklaratave të tij të mëparshme, Presidenti i SHBA-së Barak Obama, ka marrë vendim për të mos bërë publike fotografitë e torturave të personave të dyshuar për terrorizëm.
Sot me kolumne në Express paraqiten; Petrit Selimi, Albin Kurti dhe Richard Cohen nga gazeta "The Washington Post". Sipas të përditshmes "Kosova sot", decentralizimi është në prag të dështimit nëse minoritetet refuzojnë procesin, siç ka ndodhur deri tani. Në këtë kontekst, gazeta thekson mllefin e banorëve serbë në Komunën e Kamenicës ndaj KEK-ut, të cilët treguan qartë se nuk duan të kenë punë me institucionet dhe kompanitë e Kosovës, pavarësisht se mund të shfrytëzojnë shërbimet dhe të mirat e tyre. Duke vënë në pah privilegjet ndaj komunitetit serb, e përditshmja "Kosova sot" thekson se tolerimi i tepruar i serbëve ka dhënë gjithmonë rezultate negative. Gazeta thekson se të gjitha sjelljet e serbëve lokalë çojnë drejt krijimit të korridorit mono-etnik, i cili me gjasë do të jetë një trup i huaj në Republikën e Kosovës. Gazeta po ashtu thekson se të gjithë publikisht e denoncojnë për këtë Qeverinë e Serbisë, por nuk merren masa konkrete, veçmas në Bashkimin Evropian, i cili mund ta shtyjë integrimin e Serbisë në këtë Union dhe ta kushtëzojë Beogradin me liberalizimin e vizave. Gazeta Lajm ka temë qendrore lajmin për kandidimin apo mos kandidimin e Behgjet Pacollit për kryetar të Komunës se Prishtinës, me titull "Pacolli për kryetar të Prishtinës?". Sipas gazetës lobimi për Kosovën dhe zgjedhjet komunale janë prioritet i partisë më të madhe opozitare në vend, AKR. Derisa Behgjet Pacolli, pritej të takohej me ish - presidentin e Afrikës se Jugut, Nelson Mandela, për të kërkuar ndihmën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë zyrtarët e partisë së tij, njoftuan se lideri i AKR-së, mund të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, shkruan gazeta. Koha Ditore sjell një shkrim për projektbuxhetin vjetorë për misionet paqeruajtëse të OKB-së, në këtë rast edhe për UNMIK-un. "Buxheti për UNMIK-un, 47 milion euro", mban titullin shkrimi. "Buxheti i kërkuar për vitin 2009-2010 është 47.02 milion dollarë. Viti buxhetor fillon me 1 korrik dhe deri me atë datë presim që numri i personelit të UNMIK-ut të reduktohet", ka konfirmuar zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, për gazetën. Epoka e Re shkrim kryesor ka një intervistë me Zafir Berishën, me titull "Fuqia e Prizrenit është në PDK". "Në Prizren janë dy parti rivale: PDK-ja dhe LDK-ja. Ne duke pasur besimin e qytetarëve. Eqrem Kryeziun e kemi mposhtur një herë. E, në rast se futet prapë në garë, do ta gjunjëzojmë", ka thënë Berisha për gazetën. Bota sot, sjell një shkrim për mos uljen e çmimit të naftës në Kosovë me titull "Plaçkitësit modern!". Sipas gazetës, nafta është 70 për qind me shtrenjtë në Kosovë se në Maqedoni. Kosova Sot, shkruan një artikull, sipas gazetës special, për listën e kandidatëve për kryetar të Komunës se Prishtinës. "Asnjë kandidat i sigurt për Prishtinën". PDK-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë filluar hartimin e listës, por janë të kënaqur me punën në komunat që udhëheqin. AAK-ja ka nisur të zbardh listën e kandidatëve. AKR-ja ende në kërkim të kritereve. Kryeqendra e Kosovës mbetet objektivi i të gjitha forcave, duke paralajmëruar kandidatura të forta. Infopress shkrim kryesor ka një artikull nga ekonomia, ku sipas ATK-së kriza ekonomike nuk ka ndikuar shumë në nivelin e të hyrave në Kosovë. "ATK tejkalon planin e të hyrave për 22.5 për qind", ka titull shkrimi qendrorë i gazetës. Administrata Tatimore e Kosovës gjatë katër muajve të parë të vitit ka arkëtuar 75.8 milion euro, apo 22.5 më shumë se planifikimi. Drejtori Naim Fetahu shprehet se kanë arritur të ruajnë nivelin e të hyrave edhe në kohë të krizës globale, që ka prekur edhe Kosovën.