Athinë, 15 maj, NOA - Greqia ka reaguar ndaj deklaratës së Havier Solana-s se ka shumë gjasa që Maqedonia të marrë shumë shpejt një datë për çeljen e negociatave anëtarësuese në Bashkimin Evropian.
Ministria e jashtme greke ka theksuar se për këtë nevojitet vendimi unanim i gjithë vendeve anëtare, duke lënë të kuptohet se ndoshta do të vazhdojë t'i bllokojë negociatat e Maqedonisë me Brukselin.
Në këtë kuadër ka qenë skeptik reagimi i palës greke ndaj deklaratave të presidentit të ri Ivanov, se Shkupi dëshiron vazhdimin në mënyrë konstruktive të negociatave që zhvillohen nën kujdesin e OKB-së.
Greqia i merr në konsideratë deklaratat e presidentit Ivanov në drejtimin e zgjidhjes së çështjes së emrit, por këto deklarata vlerësohen duke u krahasuar edhe me sjelljen e udhëheqjes së Shkupit në të shkuarën e afërt, komentoi zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke.
Në kohën që Athina e ndërlidh vazhdimisht çështjen e emrit me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që duhet të dëshmojë Shkupi ndaj saj, deklarata e zëdhënësit lë të kuptohet se Greqia nuk ka ndërmend të ndezë dritën jeshile dhe t'i bashkohet një vendimi të Brukselit për çeljen e negociatave anëtarësuese të Maqedonisë.
Megjithatë, çështja e emrit pritet të dominojë në takimet që do të zhvillojë sot në Athinë nënsekretari amerikan i shtetit, Xhejms Shtajnberg, ndonëse ministria e jashtme greke thotë se bisedimet me zyrtarin e lartë amerikan nuk do të ërqëndrohen vetëm në këtë çështje.
Gjithsesi, sipas burimeve diplomatike, Uashingtoni e ka rigjallëruar interesimin për zgjidhjen sa më shpejt të mosmarrëveshjes greko-maqedonase për çështjen e emrit. Dhe kjo sepse Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian si domosdoshmëri për ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë.
Në këtë kuadër vendoset edhe ardhja e nënsekretarit amerikan të shtetit në Athinë, që sipas burimeve të pakonfirmuara do të shkojë prej këtej në Shkup.
Por edhe Suedia që merr në gjysmën e dytë të këtij viti presidencën e BE-së thuhet se ndan të njëjtin mendim me Uashingtonin për domosdoshmrinë e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.
NOA-INA