Kavajë, 15 maj NOA - Policia e Kavajës çon në qeli, dy persona të dyshuar si hajdutë serial.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se ditën e djeshme u arrestua
Gëzim Ymeri, 36-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe
Totila Koçi, 31-vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për pjesëmarrje në banda të armatosura.
Arrestimi i tyre u krye sepse dje rreth orës 11.30, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Kavajë, pasi Gëzim Ymeri ka qenë person i shpallur në kërkim prej datës 3 maj 2009, nga komisariati i policisë së Lushnjes, për veprën penale të "vjedhjes" e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu rezulton se dy të arrestuarit dyshohet të jenë autor të vjedhjes së bagëtive e ndodhur dy ditë më parë.
Ndërkohë, ndaj tyre është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në një sërë vjedhjesh të tjera të pasurisë në rrethe si Devoll, Librazhd, Elbasan, Kavajë dhe Lushnje.
Rezulton se Ymeri dhe Koçi, vidhnin kryesisht njësitë tregtare e ushqimore, vjedhje banesash, vjedhje të institucioneve fetare, vjedhje bagëtish, vjedhje të Kishave të Divjakës së rrethit të Lushnjes, të fshatit Greth, Kryevith të rrethit Kavajë, vjedhjen e Kishës së Shën Thanasit në Elbasan, vjedhje të bagëtive në Divjakë dhe në fshatin Kalush Kavajë.
k.k/NOA