Elbasan, 15 maj/NOA - Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj ka qenë në fshatin Pishaj në qarkun e Elbasanit.
Deputetja gjatë takimit me banorët e zonës e ka vënë theksin te thellimi gjithnjë e më i madh i varfërisë midis fshatrave dhe qyteteve në vend.
"Nuk mund të tolerohet më harresa e qeverisë karshi zonave rurale të vendit. Kjo qeveri nuk po bën detyrën që i ngarkohet me ligj për t'iu ardhur në ndihmë shtresave në nevojë".
Leskaj tha se çdo individ duhet të gëzojë mbështetje sociale nga shteti, kur ai është në pamundësi për ta përballuar jetesën me forcat e tij deri në fund të muajit, duke pohuar se është e drejtë themelore e çdo shtetasi edukimi apo shëndetësia, por keqqeverisja e këtyre 4 viteve i ka bërë të pamundura këto.
Ndaj, - tha ajo, - 28 qershori duhet t'i thotë ndal kësaj keqqeverisje: "Ne kemi menduar për të gjithë ata të moshuar, të cilët sot janë 75 vjeç dhe nuk marrin pension për shkak se nuk kanë mbushur vitet e vjetërsisë në punë. Të gjithë ata që janë 75 vjeç, edhe pse nuk i kanë mbushur vitet e vjetërsisë në punë, do t'u akordohet një pension social. 28 qershori, është ditë shumë e rëndësishme, është ditë vendimtare për fatet dhe të ardhmen e Shqipërisë".
Për Leskajn, kjo është një ditë, e cila do të ndajë të ardhmen nga e shkuara, do të ndajë të ardhmen nga e kaluara torturuese, që fëmijët tanë të kenë dinjitetin që meritojnë, dhe jo të ikin matanë kufijve për bukë të gojës.
a.k/NOA