Mallakastër, 15 maj/NOA - Mallakastra përfaqësohet në zgjedhjet e 28 Qershorit me pesë kandidatë të LSI-së, që nga kjo parti u vlerësuan si një ekip i plotë vlerash njerëzore dhe intelektuale të cilët përmes punës dhe përkushtimit të të gjithëve do të përmbushin synimin madhor, atë të daljes forcë e parë politike në këto zgjedhje.
Kandidatët janë mjekja Luljeta Bregasi biznesmeni dhe juristi Bujar Hasa, inxhinieri dhe pedagogu i universitetit Ervin Muskaj, agronomi Bardhyl Fasko dhe historiani Hysni Bogdani.
Kreu i shtabit elektoral të qarkut të Fierit Dritan Prifti, ka qenë i pranishëm sot, në mbledhjet e shtabit elektoral të këtij rrethi.
Prifti ka theksuar rëndësinë që ka ky proces zgjedhor për LSI-në, për vetë faktin se kodi zgjedhor tashmë parashikon vetëm votimin për forcën politike.
"Ndaj është një detyrë madhore për të gjithë që në sajë të përkushtimit të përmbushjes me sukses të të gjitha synimeve dhe objektivave të shkohet në rezultatin e dëshiruar. Por ajo që duhet vlerësuar me shumë përgjegjshmëri është në këto momente pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e pajisjes së tyre me kartat e identifikimit".
Sipas Priftit të gjitha makinacionet e Berishës synojnë mbetjen e një numri sa më të lartë të shtetasve pa dokumente identifikimi, duke kërkuar të realizojnë manipulimin e radhës për këto zgjedhje. Në këtë takim është pohuar fakti se humbja e Berishës do të jetë akoma më e sigurt sa më shumë qytetarë të jenë të pajisur me këto dokumente identifikimi dhe me rritjen e numrit të pjesëmarrësve në procesin e votimit.
Shtabi elektoral i LSI së rrethit të Mallakastrës është mbledhur për të përcaktuar piketat më të qarta për fillimin e punës totale për përmbushjen me sukses të synimit të saj për zgjedhjet e qershorit.
Nën drejtimin e kreut të shtabit elektoral të qarkut të Fierit Dritan Prifti ky shtab ka pohuar edhe një herë qartësisht se me potencialet e përfshira në radhët e kësaj force politike në zgjedhjet e qershorit konfirmohet se do të përmbushet synimi i daljes forcë e parë politike në këto zgjedhje.
e.l/NOA