English

Ministria e Brendshme: Alarm, 300 mijë qytetarë, eja merrni kartat

Tiranë, 15 maj/NOA - Ministria e Brendshme u bëri sot thirrje qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike deri më datën 1 Maj, të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet duke evidentuar se 420 000 qytetarë i kanë tërhequr deri më tani letërnjoftimet e tyre.

MB ka lëshuar alarmin duke pranuar publikisht se "në zyrat e aplikimit ka rreth 300 mijë karta të prodhuara që duhet të tërhiqen nga qytetarët që kanë aplikuar".

Ndaj Ministria e Brendshme tha se u kërkon qytetarëve që marrjen e kartës nga zyrat e aplikimit të mos e lënë për në ditët e fundit, pasi do të krijonin dyndje të panevojshme dhe vështirësi në shërbimin ndaj tyre.

Ndërkohë dikasteri, tha se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik gjatë javës së fundit ka shënuar një rritje të madhe të fluksit të qytetarëve që po aplikojnë për to.

"Deri ditën e djeshme, datë 14 Maj, kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 925 000 qytetarë, 370 000 prej të cilëve i përkasin grupit të atyre pa pasaportë", - deklaroi drejtori për shtyp i MB, Fatmir Konja.

Ai tha se aplikimet ditore variojnë nga 19 000 në 20 000 qytetarë dhe shtoi se procesi është funksional në të gjithë vendin.

Sakaq, Konja lajmëroi se koncesionari po hap edhe 15 zyrat e fundit brenda datës 22 maj 2009, zyra të cilat në total kanë 6 232 zgjedhës pa pasaportë, pajisja e të cilëve realizohet brenda 10 ditësh.

e.l/NOAÂ

KOMENTE