Tiranë, 15 maj NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot një takim pune me Shoqatën e Investitorëve të huaj në Shqipëri, ku ka ndarë me ta idetë për zhvillimin e vendit, duke iu referuar dhe disa nga pikave themelore të Programit të PS për qeverisjen e vendit.
"Një nga pikat që e kemi të theksuar në programin tonë, është pikërisht rimbursimi i TVSH, të cilës do t'i shtojmë dhe incentivat fiskale në lidhje me importin e makinerive të reja, si dhe investimet. Kjo do t'i lejojë investitorët që ta trajtojnë këtë taksë në disa faza menjëherë pasi të kenë ndërmarrë hapin e parë." u shpreh Rama.
Me tej kreu i PS-së shtoi "ajo që duam të trajtojmë ne në mandatin tonë të parë, është krijimi i "Kodit të Tokës", një kadastër multifunksionale e cila mungon plotësisht në Shqipëri, por që është një motor i rëndësishëm për t'i dhënë një kuptim dhe drejtim investimeve të reja dhe ekonomisë në përgjithësi".
"Ne duam të punojmë se bashku me ju dhe se bashku me ata grupe që kanë investuar apo që do të investojnë para në këtë vend. Ideja jonë është ta bëjmë këtë gjë në baza të rregullta dhe të bëjmë thesar eksperiencat tuaja dhe idetë tuaja. Është shumë e rëndësishme, pasi duke u bazuar në këto baza, ne mund të kalojmë shumë më shpejt dhe lehtë shumë pengesa dhe të evitojmë të kemi të tjera, që nuk janë shkak i mungesës së vullnetit, por injorancës dhe e një mënyre të punuari që i përket se shkuarës" deklaroi Rama. Â
k.k/NOA