English

Sejdiu: Kosova është edhe vendi i serbëve

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që të ndërpresë, siç i ka cilësuar ai, veprimet destruktive dhe të marrë përgjegjësitë që t'ua sqarojë serbëve të Kosovës se Kosova është vend i tyre.

Është e pashmangshme tema e ftesës ose jo në ceremoninë e përurimit të presidentit të ri të Maqedonisë. Më thoni, nëse Ballkani për shkak të inateve dhe zilive, po shndërrohet në një konflikt interesash?

- Mendoj se ka ardhur një kohë e nevojës për komunikime të ngjeshura dhe të parezerva të vendeve të Ballkanit, përkatësisht të përfaqësuesve të këtyre vendeve. Mendoj se në këtë kohë secili duhet të jap kontributin e vet. Unë si president i vendit, të themi i shtetit më të ri në Evropën Juglindore, në Evropë dhe në botë, do të përpiqem që të jap sinjalet më të mira pozitive të bashkëpunimit të ndërsjellë, në radhë të parë me vendet fqinje por edhe me vendete tjera të rajonit, për të krijuar së bashku një epokë të re të zhvillimeve dhe mendoj se është koha, siç e thash edhe në fillim. Prandaj do të dëshiroja që të çmoj angazhimet për një partneritet aktiv dhe bashkëpunim në këtë kuadër të institucioneve të vendeve respektable. Kjo do të sjell një situatë të re të zhvillimeve pozitive në të mirë të qytetarëve duke filluar nga realizimi i pritjeve të qytetarëve nga secili vend por edhe në kuptimin e komunikimeve të mira, filluar nga liria e lëvizjes, bashkëpunimet ekonomike, ato politike dhe në nivel kulturor por edhe ato në fushat e tjera që kanë të bëjnë me sigurinë dhe parandalimin e krimit të organizuar. Prandaj mendoj se Ballkani nuk mund të jetë imun nga trendet dhe zhvillimet e përgjithshme që janë përjetime të vendeve të tjera apo në rajone të tjera. Është e vërtetë një kohë që ajo pjesë e nxehtë që kanë qenë apo valë përvëluese e popullit të Ballkanit sidomos me trysnitë dhe mësyrjet gjenocidale që ka bërë Serbia të perëndojnë. Mendoj se është një kohë e rezonimit edhe brenda për brenda vetë këtij shteti, se nuk është koha që dikush të pretendojë apo të mbajë ambicien për të qenë hegjemon ndaj të tjerëve. Prandaj mendoj se është një etapë, që dorën në zemër, mbështetet si vizion politik edhe nga ato që mund t'i quajmë politika të përbashkëta të BE-së. Unë para sa kohësh, përkatësisht gjatë vizitës që kisha në Republikën e Shqipërisë kam pas dhënë idenë e liberalizimit të plotë të lëvizjes së qytetarëve, duke hequr edhe formalitetet, këtu flas për pasaportat për qytetarët që lëvizin nga një vend në tjetrin. Besoj se do të jetë një shembull i mirë kjo që është tani praktikë me Republikën e Shqipërisë të ndodh edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi dhe pse jo nesër edhe me Serbinë. Kjo do të ishte një dëshmi e parë dhe e drejtpërdrejt e gatishmërisë sonë për të realizuar praktikisht edhe ato pjesë të politikave apo komunikimeve të lirshme të qytetarëve siç ndodh edhe në BE. Pra një mini Schengen i Ballkanit.

Por ky mini Schengen sikur u zbeh nga fakti se ju si president u anashkaluat nga një vend tjetër, për shkak të interesave po themi madhore…

- Unë do të dëshiroja që të anashkalojë këtë temë, që mund të them se ishte një sekuencë e keqe, prandaj do të dëshiroja që si e tillë të mbyllet, të mos jetë pjesë e funksionimeve të vendeve të Ballkanit në kuptimin e fqinjësive dhe të raporteve me shtetet përreth, në kuptimin e privilegjeve apo jo privilegjeve për një vend të caktuar. Prandaj dëshiroj vetëm të kujtoj se gjithë ajo rrëmujë që është krijuar mbase mund të jetë jo e qëlluar dhe them se ka lënë një mbresë jo të mirë. Unë nuk dua t'i kthehem kësaj teme. Gjithnjë kam thënë dhe po them se është çështje e qeverisë së Maqedonisë, në këtë rast, si një shtet sovran që të ftoj apo të mos e ftoj dikë në ceremonitë e organizuara apo edhe të këtij lloji me rastin e përurimit të presidentit të ri të vendit. Por kjo nuk do të ndikojë në thelb në kuptimin e asaj se çfarë duhet të bëjnë shtetet fqinje mes vete, pra të kemi raporte të mira në të ardhmen. Në ndërkohë, presidenti Ivanov ka dërguar ftesë. Është një ftesë që nuk lidhet me këto procese dhe ai besoj se shumë mirë e ka bërë distancën me ato veprime që kanë ndodhur në një formë të caktuar. Unë edhe njëherë e përsëris se në zyrën time nuk ka pasur ftesë të Republikës së Maqedonisë për të marr pjesë në një ceremoni të tillë. Pavarësisht nga ky fakt unë mendoj dhe dua që Republika e Maqedonisë të vazhdojë me trendet pozitive dhe të ketë stabilitetin e përgjithshëm të vendit sikur edhe vendet e tjera të rajonit. Dhe unë kam thënë gjithnjë pse të mos kemi nesër edhe raporte të mira me Republikën e Serbisë, por gjithnjë si dy shtete sovrane, asnjëherë në cilësi tjetër.

Ju po thoni se jeni të gatshëm për bashkëpunim. Zyrtarët në Beograd thonë se të gjitha forcat politike në Serbi kanë arritur pajtimin për të gjetur zgjidhje paqësore për të gjitha çështjet, pra se kanë hequr dorë nga lufta. Si të ndërmerret hapi i parë?

- Jo, unë do të thosha diçka tjetër. Në radhë të parë, fatkeqësisht Beogradi edhe tani është peng i veprimeve të mëhershme dhe peng i retorikës së ashpër që ata gjithnjë kanë lëshuar në eter karshi Kosovës. Fatkeqësisht kjo i mban peng edhe qytetarët serbë, flas edhe për qytetarët serbë të Kosovës, një pjesë të tyre dhe jo të gjithë. Mendoj se do të jetë shumë e nevojshme që të ndodh një "katarsis", në mendimin politik dhe në zhvillimet brenda Serbisë, që të dëshmojnë të kundërtën e asaj qasjeje që e kanë deri tani. Nëse kjo qeveri dhe presidenti Tadiq, janë mbështetur në një formë apo tjetrën si shpresë të zbatimit të politikave të përbashkëta, do të thosha të sensit evropian, ai deri tani nuk e ka dëshmuar këtë. Pavarësisht nga ky fakt unë mendoj se do të jetë një kohë ku lypset guxim dhe të themi edhe një hap i drejtpërdrejt dhe i cili do të jetë i liruar nga kjo pjesë e ecjeve që ka patur deri tani Beogradi. Nga ana e Kosovës nuk do të ketë problem. Ne jemi që të vazhdohet me sinjalet pozitive që nënkupton edhe ndërtimin e raporteve të mira mes dy shteteve sovrane. Ne jemi për atë që të zbatojmë atë që e kemi dhënë si zotim gjatë gjithë procesit të negociatave, projektin Ahtisaari, që do të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve, në këtë kuadër me një privilegj të veçantë, apo me një zemërgjerësi qasjesh në raport me komunitetin serb. Ne jemi ata që dëshirojmë të mbyllim një kaptinë kujtese, të të gjitha atyre që kemi përjetuar, por të mos na shërbejnë ato që të marrim inate dhe revanshe ndaj popullatës serbe dhe ndaj njerëzve. Për ne është me rëndësi që gjyqësia dhe drejtësia ndërkombëtare të vazhdojë me veprimet e veta. Është e mira në krejt të keqen që krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen. Prandaj kudo që të jenë njerëzit që fshihen sot, apo strehohen nga vet Beogradi, çdo qeveri serbe është shumë e vetëdijshme dhe ka të dhëna të sakta se ku janë kriminelët e luftës dhe ajo deri tani i fsheh apo edhe është partnere me ta. Nesër do të thosha në një lëvizje të re, eventualisht, pozitive, që shpresojmë se mun dtë jetë, këta njerëz që i kanë borxh njerëzimit të dalin para drejtësisë. Janë farsa ato të tjerat që udhëhiqen me procese gjyqësore, gjoja, në Beograd dhe është farsë, do të thoja kur njeriu që është aktori kryesor pas atyre që kanë dhënë komandën themelore, por në udhëheqjen e operacioneve të krimeve, lirohet në mungesë provash. Ata njerëz që janë vrarë në Therandë (Suharekë), ata njerëz që janë vrarë në Podujevë apo në mjediset e tjera, si masakra e Izbicës e shumë të tjera, nuk janë vrarë nga njerëz jashtëtokësor. Por janë vrarë nga një ushtri, polici e njësi paramilitare që kanë të gjithë se bashku dhe nga komandantët e tyre që kanë urdhëruar këto vrasje. Pra, janë edhe aktorë të drejtpërdrejt që kanë tërhequr këmbëzën, apo kanë përdorur kamën por janë edhe aktorë që kanë dhënë urdhërin. Prandaj nuk mund të besojmë se ajo që udhëhiqet në këtë formë do të jetë një satisfakcion. Kjo bëhet shumë qartë për arsye krejt të tjera. Bëhet për të nxjerrë të themi para opinionit ndërkombëtar, elemente gjoja pozitive se kjo qeveri po merret me dënimin e kriminelëve të luftës, me dënimin e njerëzve që kanë kryer krime kundër njerëzimit. Përkundrazi, ajo është vetëm si një pjesë e ndjenjës së saj për të hequr barrën nga ajo shtrëngesë që duhet t'i bëhet realisht.

Kur flasim për pakicën serbe, kanë ndodhur kohët e fundit shumë protesta, trazira në vendbanimet me shumicë serbe. Në këto mjedise duket se ndikimi i Beogradit zyrtar është shumë i madh. Kanë institucionet e Kosovës, një strategji për ta zbutur ndikimin e Beogradit mbi pakicën serbe në Kosovë?

- Janë dy çështje që duhet të shkojnë paralelisht. E para, ëshët projekti i qeverisë dhe i instituiconeve të Kosovës në garantimin e të drejtave njerëzore të të gjithë qytetarëve. Pra, kjo nënkupton se secili të kthehet në pronën e vet. Flas për serbët që janë të koncentruar në veri të Kosovës e që janë nga pjesë të tjera, të kthehen në shtepitë e veta dhe të mos shërbehen me krijimin e tensioneve atje ndërsa banesat dhe pronat e tyre i kanë lëshuar me qera. Kjo punë duhet të dihet botërisht. Por, pavarësisht nga ky fakt është e drejtë e tyre që të kthehen dhe duhet të bëhet, në lëvizje progresive, presion me oferta që këta njerëz të kthehen, se e kanë të sigurt lëvizjen e tyre, se e kanë të sigurt edhe mbështetje të tjera në qeveri, siç edhe i ka dhënë Kosova në këtë rast. Dhe çështja e dytë, është një presion më i madh i bashkësisë ndërkmbëtare mbi Beogradin. Beogradi është çelësi themelor edhe tash që ka mbajtur peng dhe në iluzion këtë kategori të qytetarëve serbë dhe ka shpenzuar para të mëdha për mbajtjen e strukturave paralele. Ato struktura që realisht, udhëheqësit e tyre, i kanë borxh drejtësisë, edhe asaj ndërkombëtare, njerëz që kanë bërë krime në Bosnjë, Kroaci po edhe në Kosovë dhe e them me përgjegjësi këtë. Dhe e dyta, donacionet që kanë marrë, në forma të ndryshme, nga bashkësia ndërkombëtare janë para që janë shpenzuar pikërisht për ta. Rroga të dyfishta që u jepen policëve, rroga të dyfishta që u jepen njerëzve të shëndetësisë, punëtorëve të arsimit por edhe forma të tjera të investimeve dyshe që u ka bërë Beogradi, karshi atyre që Kosova u ka dhënë, dhe janë njerëz që nuk punojnë fare, por që përkundrazi minojnë proceset duhet t'i shikojmë pak ma hollësisht. Kemi të dhëna që në vitin e kaluar, diku rreth 235 milionë euro, u janë dhënë strukturave paralele nga ana e Beogradit. Prandaj, është Beogradi ai faktor që bën destruksion me keqpërdorim që i jepet nga ana ndërkombëtare. Po të jenë mjetet e tyre, edhe kjo do të ishte e gabuar, por është një vjelje e shpenzim i taksave të taksapaguesve të Evropës dhe të vendeve të tjera që bëjnë për të mbështetur procese humanitare apo forma të tjera. Por jo në këtë mënyrë.

Zoti president, ka zëra që thonë se tensionet do të përshkallëzohen në këtë kohë kur pritet të fillojë fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë. Flas për tensionet në vendbanimet serbe. Do të bëni presion mbi serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale këtë vit?

- Ne nuk do të bëjmë presion por do të bëjmë ofertë për çdo qytetar të Kosovës, për çdo zgjedhës, por edhe për çdo grupacion, ose grupim politik që është tepër e nevojshme që Kosova në këtë mandat që vjen, në kuadër të zgjedhjeve të pushtetit lokal, t'u jepet besimi atyre që e meritojnë dhe që përfaqësojnë qoftë interesat politike, të grupacionit, dhe do të varet nga relevanca se a do të kenë mbështetjen e qytetarëve. Por në të njëjtën kohë është me rëndësi edhe si proces i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë dhe institucional të Kosovës, mbi bazën e parimeve të vërteta të demokracisë. Për ne është me rëndësi që këtë proces ta zhvillojmë, është me rëndësi që rasti i një gare "fair" t'u jepet të gjithëve. Është me rëndësi që komunitetet pakicë të marrin pjesë dhe me këtë rast thërras edhe njëherë qytetarët serbë dhe partitë e tyre politike që të jenë aktorë real dhe të përbashkët për të ndihmuar proceset për Kosovën dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të vetvetes natyrisht, në një progres të përbashkët të shkrirë me të gjitha subjektet e tjera, me të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova është vend i tyre, sikur edhe çdo qytetari tjetër që ka të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë dhe Kosova është vend i perspektivës së përbashkët në zhvillime dhe procese të mëdha. Prandaj për ne është një satisfaksion i mirë se shumica e partive politike e të gjitha komuniteteve të tjera, flas të gjitha marrin pjesë dhe po ashtu në pjesë e komunitetit serb që ka përfaqësuesit e vet dhe mendoj se në këtë kohë do të jetë ndoshta e nevojshme edhe një ballafaqim i drejpërdre\jt i interesave politike brenda përbrenda komunitetit serb, të cilët debatojnë me vetvehten se cila është shansa, apo është shansë që duhet të merret kjo dhe të ecet në institucione legale, apo është shansa që të merren me instruktimin apo mbajtjen peng nga strukturat paralele kriminale.

Mesa e kuptoj ju po i bëni thirrje edhe Beogradit zyrtar që ta lehtësojë këtë proces?

- Unë me këtë rast, natyrisht për atë pjesë të asaj çfarë mund të ndikohet, në kuptimin e sinjaleve pozitive që do të ishin të nevojshme për të mbështetur proceset pozitive, absolutisht Beogradi ka përgjegjësinë e vet. S'them se duhet të ketë përgjegjësi në involvim, por ka përgjegjësinë të ndërprejë destruksionet. Ka përgjegjësi që t'u thotë këtyre njerëzve, t'u thotë shumë qartë, se Kosova është vend i juaji. Unë di veprime të tjera që ka ndodhur, ta zëmë, në vendet e ish-Federatës dhe që janë krijuar shtete të reja, kur liderët e vendeve të reja, iu thonë pjesës së pakicës së tyre të ndodhur në vendin tjetër, se atdheu juaj është këtu dhe e kemi shembullin e drejpërdrejt. Ta zemë, liderët e Kroacisë, pjesës kroate që ndodhet në Bosnje, thonë se Bosnja është atdheu juaj. Ju mund të keni ndjenjën e dashurisë dhe shumë aspekte të tjera, që është krejt normale për Republikën e Kroacisë, mirëpo, atdheu juaj në kuptimin e funksionimit dhe të ecjes dhe të zhvillimeve dhe të progresit dhe të stabilitetit është Bosnja, siç anasjelltas besoj që duhet të jetë i njejti relacion, edhe me boshnjakët ta zëmë që ndodhen në Republikën e Kroacisë. Dhe e them paralelisht, serbët në Kosovë atdhe kanë Kosovën dhe Kosova do të jetë shansa e zhvillimit të tyre. Serbët mund të mbajnë relacione me Serbinë, ashtu siç mbahen në nivelet, ta quajmë të standardeve ndërkombëtare, kërkush nuk ua mohon. Kërkush nuk ia mohon të drejtën Serbisë që të interesohet për pakicën e vetë, sikur që shqiptarët apo Kosova duhet të interesohet për pakicën e vetë, flas për shqiptarët që janë në Luginën e Preshevës, të Bujanovcit apo të Medvegjës, në tri komuna ku ka komunitet, dhe këta njerëz të gëzojnë standarde ndërkombëtare, të gëzojnë të drejtat dhe liritë njerëzore, që janë të përputhshme me konventat ndërkombëtare aktuale. Prandaj, është borxh i secilit vend, të themi në njërën anë apo në anën tjetër, në mënyrë reciproke të ndikojnë në mënyrë të mirë, të rrezatimit, të dhënies së sinjaleve, dhe që kjo pjesë e komunitetit në njërën anë ta zëmë, apo në anën tjetër të jetë asgjë tjetër, pos një shembull i mirë, apo një urë ndërlidhëse e mirë për raporte të mira mes dy vendeve. Realitetet janë realitete, Kosova është shtet sovran, Kosova i ka kufijtë e vetë të garantuar ndërkombëtar, Kosova do t'i mbrojë kufijtë e vet, të themi me shansën e zhvillimit. Kosova do të jetë në partneritet të mirë edhe të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, dhe natyrisht në të gjitha këto politika kemi këtë trajtesë të mirë të përbashkët edhe për komunitetet pakicë.

Meqë jemi tek zgjedhjet, para pak orësh ju keni emëruar një kryetar të ri të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, opozita të gjithë këtë proces deri tani e ka parë me një dyshim të madh, do ta ndani me dëgjuesit tanë vendimin tuaj se si, kur do të mund të mbahen zgjdhjet lokale këtë vit?

- Unë s'do të flas asnjëherë, se roli im nuk është që të flas nga roli i pozitës, po flas nga roli i Presidentit të vendit që ka për funksion që ka paralelisht që të ketë një qasje të themi të krijimit të unitetit të përgjithshëm të veprimit politik dhe institucional, të institucioneve dhe të subjekteve politike por edhe të shoqërisë civile, absolutisht. Dhe them se tërheqja e kryetarit të deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një tërheqje që është me arsye objektive absolutisht dhe them personale dhe unë do të dëshiroja me këtë rast të falenderoj punën që z. Xhemajli e ka bërë deri tash dhe korrektësinë që ka pasur në bashkëpunim edhe me Presidentin e Kosovës, në kuptimin e asaj se çka është e lejueshme flas gjithmonë, në kuptimin institucional sepse emërohet nga Presidenti, dhe në anën tjetër korrektësinë që ka pasur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Natyrisht se sot do të bëj zëvendësimin e tij me një kandidat të ri që është po ashtu, kandidat që përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore, sepse duhet të jetë së paku gjyqtar i Gjykatës së Qarkut apo Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe është zonjusha Nesim Lushta e cila do të paraqesë, të themi betimin apo do të japë betimin para Presidentit të vendit dhe unë do të ftoj natyrisht edhe përfaqësuesit e tjerë, apo antarët e tjerë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Dhe së dyti unë mendoj se do të bëhen veprime shumë të shpejta dhe kualitative, që edhe sekretariati i KQZ-së të kompletohet me ekipin përcjellës dhe kjo nuk pengon procesin absolutisht dhe çështja e dytë është, në afat ligjor unë do të filloj konsultimet me partitë politike. Natyrisht se e gjithë kjo pjesë, do ta quaja, e komunikimeve jo e presioneve është, secili e sheh në këndin e vetë, por është jashtë pjesës së kontekstit të afatit ligjor. Afati ligjor siç parashihet, flas me Kushtetutë përkatësisht me ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës është se data e zgjedhjeve mund të caktohet më herët gjashtë muaj para afatit të skadimit të mandatit ose më së voni katër muaj. Edhe njëri afat dhe afati tjetër nuk kanë mbërritur pavarësisht nga fakti se cila do të jetë koha që ne do marrim vendim, në realitet unë do të marr vendimin në bazë të konsultave që do t'i bëj. Prandaj në fillimin e javës unë do të filloj konsultat me partitë politike, do të kem një konsultë të përgjithshme me të gjithë, natyrisht do të kem një konsultë veç e veç me të gjitha subjektet politike, për të pasur një përmbyllje do të thoja, të përbashkët dhe të suksesshme me të gjithë subjektet politike, për të nxjerrë në preferencën e tyre datën që do të jetë më e përshtatshme, natyrisht që është edhe roli im si President i vendit, bazuar në mandatin që kam dhe do të zgjedhim një datë që do t'u pëlqejë të gjithëve. Unë besoj se do të jetë kësisoj dhe nuk ka të bëjë kjo fare nga kendvështrimi im me çështjet e pozitës dhe të opozitës, secili ka të drejtë që të flasë prapë që të lëshojë në eter vizionin e vetë apo qëndrimet e veta.

President, më lejoni që t'ju pyes, ju thoni se roli juaj është roli i një pajtuesi, po themi, në skenën politike të Kosovës. Kemi parë kohët e fundit një tensionim të kësaj skene politike. Kur dhe si do ta luani rolin e shtendosësit të situatës politike në Kosovë?

- Unë në vazhdimësi jam në konsultë me përfaqësues të partive politike dhe shfrytëzoj rastin që të komunikoj me ta në mënyrën e dhënies së mesazheve. Natyrisht se gjithmonë në një shoqëri demokratike ekzistojnë edhe ato që mund t'i quajmë polarizime të natyrshme që shkojnë, por s'do të dëshiroja asnjëherë që Kosova të hyjë në një periudhë apo në një rrafsh të polarizimeve ekstreme, të cilat mund të shprehen me inate dhe me destabilizim do të thoja të zhvillimeve politike. Mendoj se në atë periudhë ne nuk kemi ardhur dhe është me rëndësi që në këtë pjesë të proceseve të kuptohet se është përgjegjësi e secilit që të japë kontributin e vetë, në rradhë të parë në stabilitetin e vendit dhe në rradhë të dytë që të gjenden formulat më të mira të mundshme, flas në fushatën elektorale se duhet të jetë, që të jetë një fushatë fer, që të jetë një fushatë lojale, që të jetë një fushatë e cila do të jetë kurgjë tjetër pos një refleks i mirë i kulturës politike dhe shtetërore të ndërtuar në shoqërinë e Kosovës apo në shtetin tonë, prandaj këto do të jenë kërkesat e mia që do t'ia adresoj edhe partive politike dhe natyrisht që nuk do të kem unë rolin që të bëj ndërhyrje apo prerje cezarike sepse është e pamundshme, por do të përpiqem që vërtetë nga ky pozicion që jam të ndihmoj në trendet më të mira të mundshme edhe për pjesën e funksionimit të institucineve, edhe për pjesën e asaj që do të quhet etapë apo momente të ndërtimit të mandateve të reja, flas për pushtetin lokal. E mira e madhe në proceset që kemi kapërcyer është se në vendimet për Kosovën, gjithnjë kemi qenë së bashku. Pra ka qenë edhe opozita edhe pozita dhe se ato kanë rezultuar me një marrje të vendimeve pa dilema. Vendime që kanë reflektuar edhe pjekuri te përgjithshme të shtetit të Kosovës.

Dhe për fund zoti president. Zëvendëspresidenti amerikan Joseph Biden, pritet ta vizitojë rajonin e Ballkanit., dhe ju e keni cilësuar atë si një vizitë historike. A mund të shihet kjo vizitë edhe si një lloj pajtimi të politikave në Ballkan?

- Po unë e kam cilësuar dhe e cilësoj vërtetë si një vizitë historike sepse është personaliteti më i lartë, zyrtari i SHBA-së, që e viziton Kosovën, tani në këtë periudhë pas pavarësimit të vendit, sepse kemi patur edhe periudhën e pasluftës menjëherë kur ka qenë edhe vizita e presidentit Clinton dhe pastaj edhe sekretares Albright dhe vizita të tjera që kanë qenë të niveleve të ndryshme. Por them se në këtë periudhë kjo edhe njëherë shënon shumë qartë përcaktimin e SHBA-së për Kosovën, për pavarësinë e saj, për mbështetjen që duhet t'i jepet zhvillimit të proceseve që kemi para vetes, që është dëshmuar të themi edhe me pjesën praktike të investimeve, sui generis, do të thosha në Kosovë, pra të natyrave të ndryshme dhe në cilësinë çfarë SHBA-ja di ta bëjë për Kosovën. Kjo është dëshmuar edhe në kohën e vizitës që unë, kryemninistri dhe ministri i jashtëm i bëmë SHBA-së. Dhe lirisht mund të themi se SHBA-ja në qasjen e saj të përgjithshme, nëse do të japim një fokus pak më të ngushtuar në Evropë dhe Evropën Juglindore, kanë qenë dhe do të mbesin faktor i rëndësishëm për të ndërtuar apo investuar për paqen dhe stabilitetin. Unë them se pa këtë mbështetje të fuqishme vështirë se do të kishim këto procese që kemi sot. Besoj se angazhimi i SHBA-së, i tyre dhe i aletavëe nga BE-ja por edhe i vendeve të tjera do të jetë në këtë prizmë dhe do të udhëhiqet pikërisht me këtë ndjenjë dhe me këtë qasje të thelluar. Prandaj ne u jemi mirënjohës gjithmonë. Kjo do të jetë një mundësi e madhe që ne të shprehim edhe njëherë gatishmërinë tonë dhe përcaktimin tonë pa dilemë për ecje të mëtejme për Kosovën që do të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve, për Kosovën që do të marr përgjegjësitë e mëtejme për të qenë faktor i stabilitetit dhe për Kosovën që në këtë prizëm shikimi do të ketë sinjale më të mira të mundshme për raporte të mira me vendet fqinje, pra pse jo nesër edhe me Serbinë. Realisht ne as tani nuk kemi sinjale negative. Dhe njëkohësisht për Kosovën që nuk ka dilemë të shpejtojë hapat e saj dhe zhvillimet e saj pë rtë shkurtuar rrugën për të qenë anëtare e BE-së dhe e NATO-s. Dhe në këtë kuadër gjithmonë dhe pashkëputshëm e themi për Kosovën që do të investojë vazhdimisht për miqësi të përhershme më SHBA-në.

BBC

Â

Â

KOMENTE