English

Shqipëria, dritë në hartën e zezë ekonomike të Evropës

Nga Kerin Hope

Shqipëria shfaqet si një dritë në hartën e zezë ekonomike të Europës, në një kohë që Entet Ndërkombëtare vijojnë të parashikojnë me bindje një rritje pozitive me rreth 1.2% për këtë vit.

Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit, fqinj të Shqipërisë, po kërkojnë ndihmë urgjente financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ia doli që të sigurojë një kredi tregtare afatmesme prej 250 milionë euro nga Deutsche Bank dhe Alpha Bank e Greqisë.

Ky fond lejon qeverinë e djathtë të kryeministrit Sali Berisha të kompletojë vijimin e autostradës për në Kosovë, një projekt kyç infrastrukturor.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Adrian Fullani, u shpreh për Financial Times se kredia ndërkombëtare që i jep Shqipërisë është një dëshmi besimi e investitorëve të huaj dhe njëkohësisht kjo kredi do të ndihmojë në stabilitetin e likuiditetit të marrëdhënieve tregtare të brendshme.

"Ne po e kalojmë krizën me më pak dhimbje se të tjerët. Kërkesa është ende e fortë dhe defiçiti buxhetor është nën kontroll", është shprehur Fullani.

"Zgjerimi i kredisë (kreditimi i ekonomisë) mendohet të bjerë nga 36 në 15% për këtë vit dhe kjo është një 'pasuri' në këtë kohë", tha Fullani.

Bankat austriake, italiane dhe greke, të cilat kontrollojnë rreth 70% të aseteve në sistemin bankar janë të kapitalizuara mirë, me fitim dhe kanë shfaqur performancë të fortë gjatë serive të testeve që kemi filluar vitin e fundit, - tha ai.

Në një kohë që Shqipëria shihet me sy të mirë, dhe ka një normë kreditimi të pavarur, gjithsesi ajo nuk i ka shpëtuar impaktit të reçesionit ekonomik.

"Po ecën më mirë se të tjerët, por këtë vit do të ketë një rënie të ekonomisë pas niveleve prej 6 deri në 7%, - shprehet Jens Bastian, ekonomist në Eliamep, një grup ekspertësh me qendër në Athinë.

Eksportet e kromit dhe bakrit janë në rënie, së bashku me remitancat, të cilat vitin e fundit ishin rreth 1 miliard euro.

Megjithatë, ende investitorë po tregojnë interes. Tirana kohët e fundit nënshkroi projekte energjetike me vlerë mbi 3 miliardë euro me kompani italiane, austriake dhe norvegjeze për t'i dhënë fund kështu shkëputjeve të gjata dhe kronike të energjisë dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportuese rajonale.

"Ne besojmë se Shqipëria do të bëhet një qendër e rëndësishme e tregtisë rajonale, - tha Philip George i Zumax, një kompani zvicerane, që kërkon të marrë me konçesion prej 400 milion euro Portin e Vlorës".

Fullani tha se në fund të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, qeveria do të kërkojë një marrëveshje të re me FMN, në mënyrë që të ruajë besimin e investitorëve - "jo financim, por ndihmë teknike për më shumë reforma strukturore.

***

Kredia, dëshmi e besueshmërisë së investitorëve të huaj në Shqipëri

Kredia prej 250 milionë eurosh do të përdoret për financimin e nevojave të buxhetit të shtetit.

Marrja e kësaj kredie ndërkombëtare nga bankat europiane dhe bankat e vendeve të tjera është një sukses për ekonominë shqiptare.

Qeveria shqiptare mundësoi përmes raporteve dhe besueshmërisë që ka shfaqur me partnerë të tillë seriozë ndërkombëtarë si "Deutsche Bank" dhe "Alpha Bank", që drejtuan procesin e kontraktimit të kësaj kredie, që të financojë në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale, në ekonominë shqiptare, të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milion eurosh.

Kjo është një dëshmi e qartë e besueshmërisë që ekonomia shqiptare, e cila është një nga të paktat në Evropë me rritje pozitive, ka krijuar tek institucionet ndërkombëtare.

Kjo për faktin se shumë vende të rajonit, vende në tranzicion kanë kërkuar kredi edhe me 20% apo 23% dhe nuk kanë mundur dot të kontraktojnë, për arsye se ekonomitë e tyre nuk japin besueshmëri tek bankat për të dhënë kredi.

Marrja e kredisë është diskutuar edhe me FMN dhe Bankën Botërore, të cilat e kanë cilësuar atë si sukses. Ndërkaq, kjo kredi do të merret në dy transhe.

Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%.

Niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuhet kurrë, që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. Kjo kredi sindikale do të ketë një shpërndarje sipas dy transheve.

Kredia sindikale prej 250 milion euro me "Alpha Bank" dhe "Deutsche Bank", do të përdoret për të financuar për vitin 2009, pjesën e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kjo kredi do të shpërndahet në dy transhe.

Transhi i parë, prej 95 milionë eurosh, do të disbursohet brenda muajit maj dhe transhi i dytë prej jo më tepër se 155 milion eurosh, që do të agregohet nga sindikata e gjerë, do të shpërndahet brenda muajit qershor.

Në transhin e parë, bankave rregulluese iu bashkua dhe Banka e Pireut (Tirana Bank) në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një kontribut prej 20 milion eurosh, si dhe Banka Kombëtare Tregtare me një kontribut prej 11 milionë eurosh.

Një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t'u përfshirë në sindikatën e gjerë, që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë.

Gjithashtu, marrja e kësaj kredie do të rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar.

Autostrada Durrës-Kukës me financimin e ri që do të marrë nga qeveria, pritet të mbarojë shumë shpejt.

Rruga do të shkurtojë distancat mes shteteve dhe popujve të Ballkanit, në radhë të parë të shqiptarëve.

"Financial Times"

KOMENTE