Durrës, 16 maj/NOA - Përkundër deklarimeve të opozitës dhe vlerësimeve të disa specialistëve të pavarur, Kryeministri Sali Berisha siguroi sot se brenda muajit të ardhshëm, përfundojnë punimet në rrugën Durrës-Kukës.
Këtë pohim, Berisha e bëri ndërsa mori pjesë në inaugurimin shkollës së Mesme të Bashkuar "Besnik Hidri", në Shënavlash, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 100 milionë lekë.
Kjo shkollë mban emrin e Dëshmorit të Atdheut Besnik Hidri, i rënë në krye të detyrës në vitin 1997.
Kryeministri tha se rruga Durrës-Kukës, është një vepër madhështore, dëshmia më e fuqishme e një Shqipërie që zhvillohet me shpejtësi, e një Shqipërie që mund të ndërtojë vepra të mëdha, që mund të ndërmarrë projekte ambicioze.
"Rruga është një aortë jetike për të lidhur dy pjesë të kombit Shqipërinë dhe Kosovën dhe për të shumëfishuar shkëmbimet njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve", tha Kryeministri i cili siguroi se kjo rrugë përfundon në qershor.
Duke u fokusuar në projektet infrastrukturore në vend, Kryeministri tha se në objektivin e qeverisë janë ndërtimi i rrugëve që shkurtojnë distancat. Kryeministri nënvizoi se rruga Durrës-Kukës-Morinë shkurton mbi 100 kilometra distancë, krahas faktit që parametrat e kësaj rruge janë për shpejtësi më të larta.
Berisha premtoi se e njëjta gjë do të bëhet me aksin Tiranë- Tepelenë, me rrugën e Arbrit që afron Shkupin me Tiranën me 100 kilometra, me aksin Qafë Plloç- Qukës, që afron Korçën shumë ndjeshëm me Tiranën, me aksin Fierzë- Koman që shkurton distancën me 100 kilometra.
e.l/NOA