"Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t'ia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme"
Durrës, 16 maj/NOA - Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Shkollën e Mesme të Bashkuar "Besnik Hidri" të komunës Shënavlash, zhvilloi një takim me nxënës e banorë të kësaj zone, në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon".
Fillimisht Berisha u ndal gjatë në arritjet sipas tij të qeverisë që drejton dhe punën e bërë në katër vjet në lëmin investues.
Ai theksoi se katër vite më parë ne premtuam se do t'u japim fund ndërprerjeve fyese dhe tepër munduese të energjisë elektrike.
Kurse shtoi se që nga viti 2007 e deri më sot nuk ka më ndërprerje të programuar, duke pranuar se kufizimet e tjera vazhdojnë.
Kryeministri premtoi se vitin e parë të mandatit të dytë, shqiptarët do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën, pa viza.
Kurse menjëherë më pas, ai atakoi kryesocialistin Edi Rama: "Në Krujë, para shtatores së Skënderbeut, i bëra thirrje kryetarit të opozitës, por edhe këtu i bëj thirrje në Shënavlash: Z. Rama, kam një kërkesë për ty, kërkesë që nuk e kam aspak në interesin tim, në interesin e mbështetësve dhe simpatizantëve të mi, por e kam në interesin më të mirë të anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të tu; Dil në shesh, bëju burrë, shkëputu nga karrigia e Kryetarit të Bashkisë, jep dorëheqjen dhe hajde të bëjmë garën ballë për ballë. Kush do ta fitojë. Mos u fshih pas karriges së Kryetarit të Bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar Bashkie sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e tu 59 leje ndërtimi. Çlirohu nga lejet e ndërtimit", - deklaroi Berisha.
Në këtë pikë, Berisha paralajmëroi kryesocialistin: "Unë atij do t'ia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme".
e.l/NOA