Tiranë, 16 maj, NOA - Diskriminimi i hapur ose i fshehur e njerëzve mbi bazën e orientimit seksual, mungesa e kulturës dhe informimit të shtetasve për të drejtat e komuniteteve me orientim seksual të ndryshëm, mungesa e tolerancës ndaj anëtarëve të këtyre komuniteteve tregojnë se shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë informim, sensibilizim dhe respektim më të mirë të të drejtave të shtetasve.
Një apel të tiillë e ka drejtuar Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe një sërë organizatash jo qeveritare në kuadrin e 17 majit, ditës ndërkombëtare kundër homofobisë.
Sipas tyre, lufta kundër homofobisë, është pjesë e pandarë e përpjekjeve që bëjnë shoqëritë për respektimin e të drejtave të çdo anëtari të tyre dhe për të garantuar në praktikë mirëkuptim dhe tolerance mes gjithë anëtarëve të shoqërisë, pavarësisht nga gjinia ose orientimi seksual dhe për të parandaluar të gjitha formave të diskriminimit.
"Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, sanksion se "Të gjithë njerëzit janë të barabartë në dinjitetin dhe të drejtat e tyre." Çdo individ, pavarësisht orientimit seksual gëzon të drejtën të trajtohet me dinjitet dhe të mosdiskriminohet", thuhet në deklaratën e përbashkët të OJQ-ve në këtë ditë, kryesuar nga Komiteti i Helsinkit.
Sipas tyre, prganizatat e te drejtave të njeriut në Shqipëri punojnë së bashku për trajtimin me dinjitet dhe respektimin e të drejtave të personave me orientim të ndryshëm seksual, duke synuar parandalimin e qëndrimeve përjashtuese ndaj tyre nga ana e shumicës së popullsisë, për të informuar dhe sensibilizuar publikun për të drejtat e njerëzve me orientim seksual të ndryshëm dhe për të ndërgjegjësuar institucionet shtetërore, shoqërinë dhe familjen për të drejtën e cilido për trajtim me dinjitet dhe jo përjashtim
Në 17 Maj, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri dhe i drejtojnë këtë thirrje të hapur, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të saj, shoqërisë civile, publikut të gjerë, familjeve dhe shtetasve në kontakt me personat me orientim seksual të ndryshëm për të bashkuar përpjekjet e tyre në parandalimin e diskriminimit të shtetasve mbi bazë të orientimit të tyre seksual.
n.e/NOA