Bruksel, 16 maj, NOA - Komisioni Evropian synon që deri në fund të muajit qershor, Këshilli i Ministrave të BE-së t'ia paraqesë propozimet për heqjen e vizave për ato vende të Ballkanit Perëndimor që kanë përmbushur të gjitha kushtet e duhura.
Një fakt të tillë e ka deklaruar nga Brukseli komisioneri për Zgjerim, Olli Ren. Sipas tij, vendimi do të hynte në fuqi nga 1 janari i vitit 2010. I pyetur nga gazetarët se si i komenton vlerësimet e zyrtarëve amerikanë se Bashkimi Evropian nuk është angazhuar sa duhet në procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor dhe se Uashingtoni synon të emërojë një të deleguar të ri për këtë rajon, Ren është përgjigjur:
"Shteteve të Bashkuara u lë të rregullojnë çështjet e veta të brendshme, ndërsa Bashkimit Evropian çështjet brenda BE-së", tha ai.
n.e/NOA