Tiranë, 16 maj/NOA - Partia Demokratike (PD), deklaroi sot se e reja më e spikatur e Konventës së Politikës së Re pa program të Edi Ramës sot, ishte premtimi se nënat e reja shqiptare do të marrin një vit leje lindjeje.
Majlinda Bregu, Zëdhënëse Fushate tha në një reagim për mediat se "ky është një standard i vendosur që në vitin ‘93 nga qeveria e Partisë Demokratike".
Për Bregun, ky premtim i ri, i realizuar tanimë prej 16 vitesh, është ose një premtim bosh e cinik si dhe të tjerat, ose Rama nga viti 93 e deri sot nuk di apo nuk e ka haberin se ç'është familja, nëna, gruaja e sigurisht lindja.
Më tej, në emër të PD, Bregu komentoi: "Kur në 29 Qershor, ai të vrasë mendjen për arsyet e humbjes, i sugjeroj që në kohën e lirë, Rama të lexojë Ligjin e Sigurimeve Shoqërore, Kodin e Familjes, Kodin e Punës dhe Kodin Penal për çështjet e dhunës në familje, për të kuptuar se ç'është familja, marrëdhënia burrë - grua dhe sigurisht dënimi për dhunimin e tyre".
e.l/NOA