English

Raporti i ISDR: Vendet në zhvillim do përballen me katastrofa natyrore

Gjenevë, 16 maj, NOA - Sipas raportit të Strategjisë Ndërkombëtare për Reduktimin e Katastrofave (ISDR), katastrofat natyrore mund të jenë shkaktare të dëmeve edhe më të rënda dhe problemesh serioze në ekonomitë e vendeve në zhvillim.

Shumica e tyre tashmë janë goditur rëndë nga recesioni global ekonomik, por ama nuk duhet të shmangin as kujdesin për parandalimin e katastrofave natyrore, të cilat janë të pashmangshme.

Raporti akuzon zyrtarët lokalë në të gjithë botën për neglizhencë ndaj ndërtimeve të shtëpive, shkollave dhe ndërtimeve të tjera jashtë standarteve.

Vendbanimet e mbipopulluara me sisteme të vjetra të kullimit po shndërrohen gjithmonë e më shumë në "shënjestër" të përmbytjeve të vazhdueshme, me pasoja të rënda në shumë qytete, veçanërisht në Azi, ku, sipas raportit të ISDR-së, pjesë të mëdha të aseteve tregtare dhe infrastruktura janë gjithashtu shumë të ekspozuara ndaj katastrofave natyrore dhe tërmeteve.

Agjencia ISDR me bazë në Gjenevë vlerëson se pjesa e rrezikut për ekonominë globale nga përmbytjet është dyfishuar që prej vitit 1990, dhe, krahasuar me dy dekada më parë, numri i personave që rrezikojnë humbjen e vendit të punës, të të ardhurave apo jetës është 28 për qind më i lartë. Tajlanda, Indonezia gjithashtu përballen me rreziqe të mëdha nga përmbytjet, theksonte raporti. Bangladeshi renditej si vendi që përballet me rrezikun e vdekshmërisë më të lartë nga ciklonet së bashku me Kinën, Indinë, Filipinet, Birmaninë dhe Madagaskari, ndërsa Etiopia, Indonezia dhe India janë vendet më të pambrojtura dhe të rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës. Ndërsa Kina dhe India vlerësohen si vendet më të rrezikuara nga tërmetet, pasuar nga Indonezia, Salvadori, Guatemala dhe Republika Demokratike e Kongos. Ndërkohë vendet e Afrikës Sub-Sahariane renditen si më të rrezikuarat nga thatësirat e tejzgjatura. n.e/NOA

KOMENTE