English

Automjeti përfundon në Lanë, plagosen rëndë 5 të rinj

Tiranë, 17 maj NOA - Pesë persona mes tyre një vajzë kanë mbetur të plagosur kur mjetin me të cilën ata po udhëtonin përfundoi në lumin Lanë në Tiranë.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës duke u gdhirë dita e sotme kur një automjet 4X4 i cili po udhëtonte pranë Ministrisë së Jashtme, ka dalë nga rruga duke përfunduar në shtratin e lumit Lana.

Kalimtarët e rastit i kanë ardhur menjëherë në ndihmë të rinjve që ndodheshin në automjet ndërsa bashkë me forcat e policisë të cilat mbërritën pak minuta më pas transportuan drejt Spitalit Ushtarak të dëmtuarit.

Mësohet se pesë të rinjtë kanë marrë plagë të rënda por aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Hetuesit e aksidenteve nisën menjëherë punën për të zbardhur rrethanat këtij aksidenti që për pak u kushtoi jetën pesë të rinjve.

Nga hetimet e para policia deklaroi se dyshohet se shkak i këtij aksidenti të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilin po udhëtonte automjeti.

k.k/NOA

KOMENTE