English

Berisha në Korçë: Në mandatin e dytë, pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit

Korçë, 17 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha ka qenë në disa komuna të rrethit të Korçës ku u premtoi banorëve se në mandatin e dytë qeveria do të vazhdojë me shpejtësi ndryshimin e madh të fshatrave drejt vendeve të zhvillimit që meritojmë.

"Katër vjet më pare, kur ne shpallëm programin tonë e dinim se sfida me e madhe për ne ishte urbanizmi i fshatit shqiptar. E dinim se kjo sfidë kërkonte miliarda, e dinim se kjo sfidë, kjo përballje do të thoshte se duhej të dinim të dilnim nga një situatë e trashëguar tejet e rende" u shpreh Berisha.

"Dua tu siguroj se në tavolinën time, në agjendën dhe programin tim nuk ka asgjë tjetër përveç interesave tuaja. Sigurisht që nuk mundemi të plotësojmë çdo interes të çdo individi, por ne mundemi dhe do të plotësojmë çdo interes fisnik, të çdo individi. Interesat tuaja janë rrugë të mira dhe unë ju them se do të ndërtojmë rrugë të mira, janë shkolla të mira, dhe unë ju them se ne do ti ndërtojmë këtu shkollat si në qytete, ujësjellës, kanalizime, të shisni në treg prodhimet tuaj dhe unë ju garantoj se kjo qeveri ka mbrojtur dhe do të mbrojë prodhimet tuaj, por njerëzisht ju kërkoj fermerëve të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë të ndiqni çmimet e bursës" shtoi më tej kryeministri Berisha.

Sipas kryeministrit, secili pensionist në Vreshtas dhe në mbarë komunat e Shqipërisë, më 1 maj të këtij viti do të marrë një pension dy here me te lartë se sa merrte në maj të vitit 2005, ndërsa shtoi se mandatin e dytë pensionet do të barazohen me pensionet e qytetit.

k.k/NOA

KOMENTE