Nga Rudina Seseri
Asgjë më shumë se puna e njerëzve nuk e ka përcaktuar zhvillimin e një vendi, pavarësisht nga epoka, rrethanat, gjeografia apo regjimi.
Ndaj, duke vendosur punën dhe punësimin në qendër të alternativës tone të re ekonomike, ne i japim zgjidhjen e duhur problemit që shqetëson më shumë shqiptarët sot: të kenë një punë; të jetojnë ndershmërisht me punën e tyre; të dalin nga varfëria; të krijojnë dhe gëzojnë mirëqenie për veten dhe familjen nëpërmjet punës.Â
Sot Shqipëria ka një papunësi në përmasa të papranueshme. Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje me një politikë tjetër, me një politikë të re në mbështetje të punës dhe punësimit.Â
Uljen e papunësisë ne e shohim si mjetin kryesor për të luftuar varfërinë në këtë vend. Punësimi është motori bazë për zhvillimin e Shqipërisë.
Dhe zgjedhja jonë është e qartë: ne jemi për zhvillimin në vend të rritjes së thjeshtë, jemi për zhvillimin e qëndrueshëm në vend të rritjes së paqëndrueshme ekonomike.
Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë, do ta ulë papunësinë në nivelin njëshifror, 9%; do të përgjysmojë nivelin e papunësisë në fshat dhe deri në fund të mandatit tonë, do të bëj të prekshme 197,000 mundësi të reja punësimi.Â
Duke e vënë punën në shërbim të shoqërisë dhe jo shoqërinë në shërbim të punës, ne do jemi të vëmendshëm ndaj punësimit të kategorive të ndjeshme të shoqërisë, që e vuajnë shumëfish dramën e papunësisë në Shqipërinë e sotme: do të mbështesim veçanërisht punësimin e të rinjve dhe grave. Deri në vitin 2013 do të eliminohet puna e fëmijëve nën 16-vjeç në sektorin formal, do të ulet informaliteti e parandalohet shfrytëzimi i fëmijëve në ekonominë gri, duke i hequr kësaj shoqërie turpin e këtyre fenomeneve njëkohësisht të shëmtuara dhe të dhimbshme.
Alternativa jonë e re ekonomike beson se biznesi është instrumenti kryesor për t'i dhënë shoqërisë në të njëjtën kohë: punësim dhe zhvillim.
Mbështetja e biznesit që punëson, që krijon të ardhura për familjet dhe sipërmarrësit, që krijon të ardhura për investimet që sjellin punë të reja, është qëllimi ynë parësor në politikën ndaj biznesit.
Ne do të ndihmojmë sipërmarrësit në këtë vend të përfitojnë sa më shumë nga pozicioni gjeografik i Shqipërisë, duke i nxitur që të zgjerojnë partneritetin me njëri-tjetrin, për të krijuar zinxhir të plotë prodhimi.
Synimi ynë është që të rrisim aftësinë konkurruese të produkteve shqiptare, në tregjet tona, në tregjet rajonale dhe në ato europiane. Â
Ne besojmë se biznesi gëzon të drejtën e pamohueshme të ketë prej nesh lehtësinë maksimale për të punuar, për të vepruar në shërbim të rezultatit më të mirë të mundshëm për sipërmarrësit dhe të punësuarit, pra për të gjithë shoqërinë.
Ndaj, ne do të ndërtojmë një shtet modern, një shtet që është korrekt me biznesin dhe pret prej biznesit të njëjtën korrektësi, ndaj taksave, ndaj sigurimeve shoqërore, ndaj punëmarrësve.
Ne do të eliminojmë çdo vonesë në rimbursimin e TVSH dhe çdo taksë dhe tatimi të paguar më tepër.Â
Por, ne besojnë se vetëm kaq nuk mjafton. Jo thjesht një shtet modern dhe korrekt me biznesin, por alternativa jonë e re ekonomike do të jetë alternativë që favorizon biznesin në shkallë të gjerë.
Fillimisht në ditët e para të mandatit tonë, ne do të shfuqizojmë dhe hedhim poshtë ligjet anti - biznes: Rishikimi dhe përmirësimi sa më parë i çdo ligji ekonomik dhe fiskal që ka rritur vështirësitë për biznesin dhe ka inkurajuar abuzivitetin e administratës fiskale.
Nën qeverisjen tonë, asnjë ligj dhe akt ligjor, nuk do të miratohet nga Parlamenti dhe qeveria pa u diskutuar me transparencë me komunitetin e biznesit dhe grupet e interesit.
Teknologjia dhe dija janë dy shinat mbi të cilat ecën treni i zhvillimit.
Ne do të heqim çdo ngarkesë fiskale për importet e teknologjive moderne dhe për ekonominë e dijes.
Ne i kuptojmë vështirësitë e biznesit në këto kohë krize, ndaj jemi në anën e tyre për të kapërcyer bashkë me ta vështirësitë e momentit.
Ne do të mbështesim marrëveshjet për ristrukturim të kredive të këqija midis bankave dhe biznesit dhe do të propozojmë krijimin e një fondi garancie për likuiditet.
Jetësimi i një alternative të re ekonomike për t'i dhënë fund tranzicionit, për ta transformuar Shqipërinë, për ta bërë zhvillimin e qëndrueshëm, fatin binjak të Shqipërisë dhe shqiptarëve, është projekti dhe besimi ynë.