English

Plani im për një qeveri reale dhe produktive

Nga Edi Rama*

Është koha që ndryshimi të ndodhë jo për të ndryshuar qeveritë, po për të ndryshuar mënyrën sesi Shqipëria qeveriset.Â

Është koha që ndryshimi të ndodhë jo për të fituar përsëri politikanët, po për të mos humbur përsëri qytetarët. Â

Është koha që ndryshimi të ndodhë jo për të ndërruar llogoret dhe për të vazhduar të gjuajmë njëri-tjetrin me baltë, po për t'i dhënë fund politikës së vjetër të llogoreve e të baltës kundër njëri-tjetrit. Â

Nuk e kam të lehtë t'i shpjegoj djalit tim se pse politika nuk është e pistë dhe e neveritshme në vetvete. Â

Im bir ka lindur në vitin 1990, i përket gjeneratës që lindi bashkë me lirinë e këtij vendi dhe sot s'gjen dot vend për ëndrrat e shpresat e saj në një Shqipëri që vuan pasojat e një politike pa zemër.

Prej 18 vjetësh kjo politikë u jep të rinjve shembullin më të keq të mungesës së dashurisë e respektit mes njerëzve, duke u zhvilluar çdo ditë si një lojë ku rëndësi ka kush ul tjetrin më poshtë në sytë e të tjerëve dhe jo kush punon më shumë për të mirën e njerëzve. Â

Ka 18 vjet që Shqipëria që na tregon me fjalët e saj të mëdha politika e vjetër e interesave të vogla, nuk është as Shqipëria ku jetojmë prej 18 vjetësh dhe as Shqipëria ku 18 vjet më parë ëndërruam të jetonim në shekullin e ri. Â

Kjo politikë e vjetër flet për suksese të papara kurrë më parë, për ekonominë që rritet si askund në botë, për Shqipërinë ku të gjithë duhet të ndjehen të lumtur.

Ndërkohë s'kalon ditë pa u dëgjuar bataretë e sharjeve e të shpifjeve ndaj kujtdo thotë se kjo Shqipëri s'mund të vazhdojë të jetë pa shtet të të gjithëve, pa abetare për të gjithë fëmijët, pa kujdes shëndetësor për të gjithë të sëmurët, pa mbështetje për të gjithë bujqit e fermerët, pa mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e qytetaret e saj, kudo ku jetojnë, në qytet a në fshat, në veri apo në jug, në fushë apo në mal. Â

Prej 18 vjetësh politika e vjetër e ka kthyer qeverisjen në një lojë që mund ta luajnë vetëm politikanët, ndërkohë që këtë lojë e paguajnë vetëm qytetarët. Â

Unë kam hyrë në këtë garë për t'i ndryshuar rregullat e kësaj loje bashkë me qytetarët dhe për t'i dhënë bashkë me ju në 28 qershor Shqipërisë një qeverisje të qytetarë, me qytetarët, për qytetarët.Â

Politika nuk është e pistë dhe e neveritshme në vetvete. Â

Ajo ka lindur qysh në antikitet, që njerëzit të zgjidhin së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë. Â

Shqipëria është e etur për një politikë të re - një politikë që ka përmasën e ëndrrave dhe të shpresave të njerëzve. E kam hasur këtë etje në sytë e qindra mijëra njerëzve që kam parë anembanë vendit në Dialogun me Shqipërinë.

Kam njohur nga afër varfërinë, kam shikuar nga shumë pranë analfabetizmin e përjashtimin social, kam prekur prapambetjen dhe pare me sytë e mi tërheqjen e plotë të shtetit nga detyra në zona të tëra të vendit. Po kam ndjerë gjithashtu një dëshirë të jashtëzakonshme për të kthyer faqen e historisë.

Është kjo dëshirë që na bashkon sot të gjithëve, jo për të zhvilluar një fushatë dhe për të fituar një palë zgjedhje pas të cilave premtimet t'i marrë era e programin ta marrë lumi, po për t'u bërë fuqia e një ndryshimi të ri historik, duke e çuar qeverinë pranë njerëzve dhe bashkuar forcat me ta për të mundur varfërinë, luftuar papunësinë, zmbrapsur injorancën, mposhtur korrupsionin. Â

I kam ende para syve kapicat e mbuluara me plastmasë mes lagjeve të varfra të Libonikut, në fushën e Korçës. Kapica gruri të pashitur pas një sakrifice të pazakontë për bujqit e palodhur korçarë që këtë vit u mbeti prodhimi në derë.

Në anën tjetër të vendit, lart në veri, mbi kodrat anës rrugës që të çonte në Shishtavec të Kukësit, grumbuj thasësh me patate, gati për t'u varrosur në pritje të blerësit që nuk vjen dot. Në Bushat, prodhimi mbetur pa treg në një serë të ndërtuar me shumë mund dhe pasion, që me nxehjen e motit çon dëm gjithçka është prodhuar.

Kështu me radhë, në të gjithë Shqipërinë, gdhihen e ngrysen shqiptarë e shqiptare si ne, bujq e fermerë, që prej 18 vjetësh, janë të vetmit në botë pa certifikatën e pronësisë në dorë dhe pa shtetin në krah. Â

Është koha të kthejmë faqen e historisë së fshatit shqiptar, duke ndryshuar rrënjësisht konceptin e zhvillimit të hapësirës rurale.Â

Në 28 qershor do të nisë një histori e re, historia e një aleance strategjike mes bujkut e fermerit shqiptar dhe shtetit të tij. Â

Ashtu siç kemi shkuar fshat më fshat në këto vite në opozitë, për të dëgjuar zërin e atyre qindra mijëra bujqve e fermerëve që mbijetojnë vetëm me fuqinë e mendjes e të krahëve të tyre - duke kaluar mes dramash të mirëfillta njerëzore siç është kalbja, varrosja, flakja e prodhimit për mungesë të tregut - ne do të jemi pranë tyre pas 28 qershorit për të çuar tek ata qeverinë dhe për të hedhur së bashku çdo hap drejt daljes përfundimtare nga tuneli pa dritë ku ecën këmbadoras fshati shqiptar. Do ta bashkëqeverisim fshatin me bujqit e fermerët në kuptimin më të plotë të kësaj fjale.Â

Do të ngremë një ministri të posaçme për fshatin që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural dhe do dyfishojmë menjëherë buxhetin e bujqësisë, ndërkohë që të gjitha fondet që do të shpenzohen për hapësirën rurale do të menaxhohen si fond i integruar për ekonominë rurale.

Rruga për ta nxjerrë fshatin shqiptar nga varfëria nuk është rruga pa rrugë e këtyre 18 vjetëve, një ujësjellës këtu, një fond vreshtash atje, pesë rrugë të asfaltuara përgjysmë andej matanë, ca tallona nafte mbrapa dhe le të bëjnë si të bëjnë njerëzit e shkretë, po është rruga e zhvillimit të qëndrueshëm të një ekonomie të re rurale.

Duke filluar nga kujdesi për foshnjat qysh në barkun e nënës, librat e shkollës falas për fëmijët, arsimimi profesional për të rejat e të rinjtë e fshatit, shërbimi shëndetësor për të gjithë dhe një plan tërësor për rindërtimin e marrëdhënieve mes fermerit e shtetit mbi bazën e interesave reciproke. Â

Sa herë i kemi dëgjuar gjithë këto kohë kryeministrin e vendit dhe oborrtarët e tij të lëshojnë baltë e mllef ndaj nesh pas çdo rasti kur ngrinim zërin për fëmijët e varfër që nuk shkojnë në shkollë se s'blejnë dot librat? Â

Ne na akuzonin si gënjeshtarë, sepse sipas tyre librat e shkollës jepeshin falas dhe si mashtrues, sepse sipas tyre premtimi ynë për t'i dhënë falas librat e shkollës ishte blof. Mirëpo, u desh të vinte fushata elektorale që Sali Berisha të merrte para pak ditësh një vendim qeverie për t'i dhënë librat e shkollës falas.

Sepse interesi i pushtetit e bëri të merrte vesh të vërtetën e hidhur të fëmijëve të varfër të këtij vendi vetëm pak javë përpara se të largohet, ndërkohë që katër vitet e fundit braktisja e shkollës për shkak të varfërisë është rritur jashtëzakonisht shumë.

Kjo është politika e vjetër me të cilën duhet të ndahemi, politika që i mëson hallet e njerëzve vetëm kur i duhen votat dhe që pasi merr votat i harron ato bashkë me njerëzit. Â

Ndërkohë që bredh fshatrave me gërshërë në dorë për të inauguruar copëra rrugësh komunale, gjë që është i vetmi kryeministër në botë që e bën, kryeministri ynë është padyshim i vetmi në Europë që nuk e di detyrën e tij. Prandaj Sali Berisha nuk flet kurrë dhe s'ka bërë asnjë gjë për të përmirësuar gjendjen katastrofale të tokës bujqësore. E cila është e copëzuar në mënyrë paralizuese për bujqësinë, djerrë në më shumë se 50% të saj, dhe e sulmuar përditë nga derdhjet e betonit për ndërtime në pjesën e punueshme të saj. Madje pikërisht sepse nuk e di detyrën e tij, kryeministri ynë, i ndjekur nga kori i oborrtarëve të tij të paaftë, kapardiset, duke treguar rrugët kombëtare që shtrojnë kompanitë private me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që nuk bën asgjë për standardet e këtyre rrugëve.

Të cilat masakrohen dhe kthehen në rrugë vdekjeprurëse jashtë çdo standardi europian, për shkak të ndërtimeve kuturu në të dy anët e tyre, sepse qeveria e Sali Berishës nuk e di dhe nuk e bën detyrën e mbrojtjes së territorit dhe të tokës bujqësore.

Në cilin vend të Europës, në cilin vend fqinj, sapo kaloni kufirin, keni parë rrugë si këto që ndërtohen nën Sali Berishën, në dy anët e të cilave mbijnë çdo ditë ndërtime pa leje mbi dhè të hedhur mbi tokën bujqësore?

Është trefishuar numri i ndërtimeve pa leje në këto katër vjet dhe është zvogëluar dramatikisht fondi i tokës së bukës - gjë që nuk ndodh në asnjë vend në botë - dhe duke cenuar po kaq dramatikisht fondin e sipërfaqes turistike të atdheut tonë.Â

Ngaqë nuk e di detyrën e tij kryeministri nuk flet kurrë dhe s'ka për të bërë asgjë për kostot marramendëse të prodhimit bujqësor e blegtoral. Madje është i vetmi kryeministër në botë që ka taksuar naftën për peshkimin, pasi e ka futur peshkimin nën hyqmin e Ministrit të Mjedisit, ndërsa detin nën ngricën e një moratoriumi absurd për mjetet lundruese që do ta anulojmë menjëherë pas 28 qershorit. Â

Është koha të kthejmë faqen e historisë së keqqeverisjes së tokës e të detit shqiptar duke i kthyer bujqësinë, blegtorinë e peshkimin në prioritete që do të rrisin sovranitetin ushqimor të vendit dhe të familjeve shqiptare. Po, po, sovranitetin ushqimor të vendit dhe të familjeve shqiptare. Sepse, për sa kohë jemi ne, socialistë dhe progresistë shqiptarë, s'mund të ketë një Shqipëri që ushqehet mirë dhe një Shqipëri të kequshqyer në shekullin XXI, ashtu siç nuk mund të ketë Shqipëri Europiane me një fshat shqiptar që përpëlitet si në mesjetë. Â

28 qershori do të jetë fillimi i fundit të kësaj përpëlitjeje 18 vjeçare. Â

Asnjë bujk dhe fermer pa certifikatën e pronësisë mbi tokën. 18 vjet pas ligjit 7501, ne do të sigurojmë zbatimin përfundimtar të këtij ligji duke i dhënë fund ankthit, talljes e poshtërimit 18 vjeçar të qindramijëra bujqve e fermerëve që janë dhe s'janë pronarë të tokës së tyre. Â

Asnjë bujk, fermer e peshkatar pa shtetin pranë për të ulur kostot e prodhimit dhe garantuar infrastrukturën e tregut të shitjes së tij.

Asnjë familje shqiptare në fshat pa ndihmën e shtetit, duke filluar nga nënat e reja. Të cilat s'do kthehen më, pak ditë pas lindjes, në arë për të ndjekur parmendën që të ushqejnë familjen dhe foshnjën, sepse nuk përfitojnë nga barrëlindja për shkak të varfërisë.

Çdo nënë e re që sjell gëzimin e lindjes së një fëmije në një familje të varfër, do të përfitojë nga barrëlindja njësoj siç do grua tjetër në këtë vend, duke gëzuar mbështetjen tonë gjatë gjithë vitit të lejes së lindjes.

Sepse Shqipëria e shekullit XXI s'mund të jetë nënë për gjysmën e të porsalindurve dhe njerkë për gjysmën tjetër. Janë sot 50% nënat shqiptare që e kanë këtë problem që pas 28 qershorit ne do ta zgjidhim. Â

Është koha të kthejmë faqen e historisë në shëndetësinë shqiptare duke ndryshuar rrënjësisht, nga themelet, sistemin shëndetësor shqiptar. Â

Shërbimi shëndetësor i këtij vendi është një tjetër pasqyrë e falimentimit të politikës së vjetër dhe shëndetësia një tjetër aspekt i jetës së vendit që tregon në mënyrë ulëritëse nevojën e ndryshimit të 28 qershorit. Në 1/5 e territorit të Shqipërisë nuk ka këmbë mjeku e infermieri dhe nuk ekziston asnjë lloj pike shërbimi shëndetësor, ndërsa në pjesën më të madhe të hapësirës rurale ky shërbim ekziston vetëm në listë - pagesa mjekësh që duken sa për të marrë rrogën në fund të muajit.

Përpara një muaji një djalë i ri vdiq në Skrapar nga një dhëmballë, të moshuarit e gjysmës së territorit të vendit duhet të marshojnë zvarrë në këmbë për të arritur tek një aparat tensioni, spitalet e Shqipërisë punojnë në kushtet e luftërave të shekullit të shkuar dhe shërbejnë me mjete rrethanore, ndërkohë që të sëmurët që kanë fat ta gjejnë një shtrat duhet t'i kenë çarçafët dhe batanijet me vete.

Për ilaçet as nuk diskutohet. Mendoni për një moment miqtë e mi, janë mbi 40% qytetarët e qytetaret e këtij vendi që nuk janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore për shkak të varfërisë dhe që në rast nevoje u duhet ose të paguajnë nën dorë ose të durojnë, madje dhe të vdesin, nëse s'kanë të paguajnë.

Dhe janë mjekët e infermierët, që padrejtësisht, janë vënë në shënjestër si fajtorët për një gjendje alarmante që prej 18 vjetësh nuk alarmon politikën, po vetëm të sëmurët dhe familjarët e tyre. Â

Alternativa jonë është radikale, shërbimi shëndetësor universal. Jo më sigurime shëndetësore, po financim publik i shëndetësisë sipas një modeli të suksesshëm dhe gjithnjë e më të përhapur evropian.Â

Mjekët, infermierët dhe njerëzit e sistemit shëndetësor nuk do të jenë më shënjestra e një propagande skandaloze të politikës kundër tyre, por aleatët tanë. Së bashku do t'i japim jetë Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dhe çdo shqiptari e shqiptareje akses të barabartë në këtë shërbim, pavarësisht nëse është i pasur apo i varfër, nga qyteti apo nga fshati, nga fusha apo nga mali, nga veriu apo nga jugu.

Sepse në Shqipërinë e shekullit XXI shëndetësia s'mund të konsiderohet si një biznes çfarëdo, po si një detyrim parësor i shtetit të të gjithëve ndaj çdo shtetasi e shtetaseje. Dhe Shqipëria që duam s'mund të jetë një vend ku pensionistët duhet të zgjedhin mes ilaçeve që u duhen për të jetuar dhe ushqimeve që u duhen për të mbijetuar.

Kryeministri dhe oborrtarët e tij, shërbëtorë kokulur e të paaftë, enden nëpër Shqipërinë që ndryshon sipas tyre, duke folur edhe për shkollat njëlloj si për rrugët dhe duke u krenuar me gërshërë në dorë me atë që nuk është puna e tyre, po puna e pushtetit vendor dhe e kompanive të ndërtimit.

Pikërisht, sepse Sali Berisha nuk e di detyrën e tij dhe qeveria nuk e qeveris arsimin, shkolla shqiptare ka mbetur vetëm përballë problemeve të saj, fëmijët e të rinjtë përballë pasigurisë së arsimimit, mësuesit e mësueset përballë vështirësive në rritje të një profesioni përditë e më të pamundur dhe prindërit, përballë investimit të tyre të jetës, të pagarantuar.

Mbi Shqipërinë tonë në shekullin XXI është rikthyer e po zgjatet përditë hija e turpshme e analfabetizmit. Numri i fëmijëve në moshën e arsimit të detyrueshëm që nuk dinë shkrim e këndim është sot, në vitin 2009, më i larti i gjithë viteve të tranzicionit, ndërkohë që 12% e popullsisë mbi 15 vjeç identifikohet analfabete.

Vetëm 1 në 2 fëmijë kanë mundësi të frekuentojnë arsimin parashkollor në qytet, vetëm 1 në 3 fëmijë në fshat dhe këtë mundësi e kanë vetëm 1 në 4 fëmijë të familjeve të varfra shqiptare në qytet apo në fshat. Ndërkohë hendeqet, dallimet midis rajoneve dhe brenda rajoneve janë tejet të mëdha.

Disa rajone të vendit tonë, të Shqipërisë tonë evropiane, të Shqipërisë që sipas Sali Berishës ndryshon, numri i nxënësve që nuk e mbarojnë arsimin e detyrueshëm ka shkuar duke u rritur dhe ka arritur deri në 50%, ndërsa braktisja e fshehtë në shkollë në shkallë vendi është në nivele që nuk matet dot.

Në zonën rurale shumica e nxënësve dhe veçanërisht vajzat janë të privuara nga mundësia për të vazhduar arsimin e mesëm. Profesioni i mësuesit, simboli i një shoqërie të emancipuar, është bërë gjithnjë e më i vështirë, ndërsa figura e mësuesit është shndërruar në një figurë të diskriminuar, të nënshtruar, të poshtëruar, që preferohet gjithnjë e më pak.

Merreni me mend, në një prej universiteteve publike, këtë vit akademik u regjistrua vetëm një student për të studiuar për mësues i shkencave ekzakte.Â

Inventari i të dhënave rrëqethëse të degradimit të sistemit tonë arsimor është i gjatë. Koha e kthimit të faqes në historinë e tij është e shkurtër. Vetëm 43 ditë. Ndryshimi i 28 qershorit, do të shënojë kthesën e madhe në arsimin shqiptar.Â

Me mësuesit nga njëra anë dhe prindërit nga ana tjetër, ne do të ndërtojmë një aleancë të vendosur kundër së keqes, që ka paralizuar arsimin shqiptar dhe do të luftojmë me mish e me shpirt, për t'i dhënë shkollës shqiptare vendin që i takon në jetën e vendit tonë dhe fëmijëve shqiptar shkollën që i takon në Shqipërinë tonë evropiane.Â

S'mund të ketë një Shqipëri që shkon në shkollë dhe një Shqipëri që nuk shkon në shkollë, në shekullin XXI. Por, vetëm një Shqipëri, që arsimimin e konsideron politikën më të mirë ekonomike dhe për arsimimin e fëmijëve, bën çdo sakrificë, si çdo familje shqiptare.

Së bashku, ne do ta shpallim armik e do ta luftojmë me forcë të paparë analfabetizmin, duke i dhënë fund 18 vjetëve kaos e anarki në programet mësimore të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të përgjithshëm. Ne do t'i njehsojmë ato me një model evropian të përafruar, si edhe do të punojmë ngushtësisht me qeverinë e Kosovës, për të pasur e zhvilluar të njëjtin model programesh arsimore në gjithë trevën shqiptare.Â

Mjaft më me libra që leopardin e quajnë kafshë barngrënëse. Mjaft më me libra që i torturojnë fëmijët, duke ju thënë sa e gjatë është nofulla e çakallit. Mjaft më me libra që ua mësojnë gjeografinë e Shqipërisë mbrapsht dhe nuk i mësojnë se ku janë kufijtë e Shqipërisë. Ne do t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona, hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës.

Do të jemi ne garantët e investimit në çdo familjeje për fëmijën nxënës apo student, jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, por duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj. Për universitetet tona, publike apo private, do të fillojë epoka e re, epoka e akreditimit përmes një sistemi të pavarur.Â

Ne s'do të mbyllim asnjë universitet, por ama çdo universiteti do t'i duhet ta sigurojë ekzistencën e tij në fushën e konkurrencës e të meritës, mbi bazën e rezultateve e të standardeve të akreditimit dhe jo më përmes kanaleve të korrupsionit e të klientelizmit qeveritar, që po merr më qaf gjenerata të tëra të reja dhe të rinjsh.Â

Me qeverinë tonë, do të lindë edhe arsimi i vërtetë profesional në Shqipërinë ku janë harruar zanatet dhe ku zanatçinjtë e gënjeshtrave në politikë dhe qeverisje ofrojnë si zgjidhje të vetme për papunësinë e të rejave dhe të rinjve, shqyerjen e dyerve të universitetit dhe çeljen e tyre pa asnjë kriter e karar.Â

Së bashku, ne do ta mundim papunësisë dhe parazitizmin e detyruar, duke luftuar kudo e me të gjitha mënyrat me papunësinë, si një armik i përbashkët i të ardhmes tonë dhe fëmijëve tanë.

S'do të lejojmë që qeveria të rrijë duarkryq, ndërkohë që të rejat e të rinjtë të sorollaten gjithë ditën rrugëve e kafeneve, për shkak se s'kanë ku shkojnë, apo më zi akoma, të vazhdojnë të arratisen maleve për në Greqi, se në vendin e tyre jo vetëm s'kanë ku punojnë, por në defterët e qeverisë së vdekur, figurojnë si të punësuar, përderisa jetojnë në një hapësirë që është gjysma e territorit të Shqipërisë dhe që quhet fshat, e që për këdo që kapardiset si qytetar dhe që ka lindur në fshat, nuk ekziston turpi i tyre.Â

Ne jemi gati, që në 4 vjet të bëjmë për arsimimin e fëmijëve, e të rejave dhe të rinjve të këtij vendi, aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet të mbledhura së bashku.Â

Është koha të kthejmë faqen e historisë së marrëdhënieve tona me mjedisin, përmes një politike të re qeverisëse, që do të mbështetet mbi një ligj të ri integral për mjedisin dhe mbi vetëdijen se s'mund të ketë një Shqipëri ku shtëpitë dhe apartamentet e secilit prej nesh, janë pasqyrë e pastërtisë dhe një Shqipëri ku shtëpia e përbashkët e atdheut tonë, është shëmbëlltyrë e papastërtisë.Â

Nuk mund ta respektojmë atdheun më pak se shtëpinë tonë dhe në Shqipërinë që ne do të qeverisim pas 28 qershorit, pastërtia e mbrojtja e të gjithë hapësirës ku jetojmë së bashku, do të jetë arritja jonë e madhe e përbashkët.Â

Ne do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët urbane dhe ato kombëtare e nga mbeturinat urbane të hedhura kuturu ngado hedh sytë, të cilat janë shembulli më i keq që u japim fëmijëve tanë, qytetarëve të së nesërmes së Bashkimit Evropian.Â

Dhe do të ndahemi prerazi, me thikë, nga politika e vjetër e abuzimit të skajshëm me pasuritë tona të përbashkëta natyrore, duke i dhënë fund praktikës së komprometimit të së ardhmes të fëmijëve tanë, për t'i hapur rrugë investimeve që bazohen në teknologjitë e së shkuarës.

I duam dhe do t'i presim krahëhapur investimet e huaja, për nxitjen e së cilave kemi konceptuar një politikë të re, në një plan të ri veprimi, por nuk do të presim krahët e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, duke i kthyer zonat turistike në sheshe ndërtimi për TEC-e me qymyr apo pyjet e kodrat e bukura të vendit tonë në zgafella për prodhimin e çimentos.Â

Shqipëria jonë e re nuk do të mirëpresë në truallin e saj asnjë rrangallë të teknologjisë së vjetër, që në Evropën e Bashkuar konsiderohet jashtë standardeve dhe më anë tjetër, nuk do të bëjë më asnjë shaka rrëqethëse si ajo e Sali Berishës me centralin bërthamor të Shkodrës.

Në katër vitet e ardhshme, do të mbjellim në Shqipëri më shumë pemë se ç'janë mbjellë në këto 18 vjet të marra së bashku dhe së bashku do t'u japim njerëzve jo shifrat e një ekonomie që rritet bashkë me papunësinë, por mundësinë e të jetuarit me punë në një ekonomi që zhvillohet përmes hapjes së vendeve të reja të punës.Â

Njerëzve, atyre miliona shqiptarëve pa pushtet, që duan punë, rrugë, shpresë, nuk u intereson pushteti, nuk u interesojnë karriget e ministrave dhe as karriget e deputetëve, por rezultatet e qeverisjes.Â

Kam takuar me dhjetëra mijëra njerëzve në çdo cep të Shqipërisë dhe janë kushtet e rënda të jetës së tyre, perspektiva e mbyllur e fëmijëve të tyre, fatet e tyre të kërcënuara nga plagët e rënda sociale, familjet e tyre të gjunjëzuara nga mungesa për të jetuar me një punë të ndershme, që më kanë bindur, në mish e në shpirt, se Shqipëria reale qëndron përtej të majtës dhe së djathtës. Â

Problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura, përtej dasive partiake, që politika e vjetër ushqen prej 18 vjetësh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, ku ka futur grindjen e nxitur tifozllëkun e verbër partiak, sepse nuk është e aftë të merret me problemet e njerëzve dhe t'i zgjidhë ato.Â

Sa herë mundohemi të hapim një debat të ndershëm mbi plagët që rraskapitin Shqipërinë e njerëzit e saj, marrim mbrapsht baltën e mllefin e një politike që jeton duke treguar gjithmonë me gisht fajtorin përballë dhe jo duke shëruar plagët, ku qeveritë asnjëherë nuk guxojnë të vënë gishtin.Â

Vullkani i korrupsionit që shpërtheu në Gërdec, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, po nxjerr përditë mbi sipërfaqe blozën e oxhakut familjar që qeveris Shqipërinë. Për ta mbuluar këtë blozë nga fytyra e qeverisë së tij, Sali Berisha nxin përditë me zhargonin vulgar të politikës së vjetër modelin tonë të suksesit, Bashkinë e Tiranës dhe derdh përditë mbi Partinë Socialiste baltën e mllefin e dëshpërimit të tij.Â

E ka marrë përgjigjen tre herë nga populli i kryeqytetit. Do ta marrë këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë. Sepse shqiptarët, socialist dhe demokrat, nuk e duan qytetin e fshatin e tyre si Gërdeci, por si Tirana. Sepse ne që e duam Tiranën edhe njëherë më të mirë se sot, për vete dhe për të gjithë ata motra e vëllezër që nga emigracioni te Tirana kanë krenarinë e tyre, nuk mund ta lënë atë peng edhe një herë tjetër në duart e njeriut që i hapi rrugë Gërdecit, duke i mbyllur sytë e lidhur duart 11 institucioneve të shtetit, për hesap të një biznesi familjar, që është biznesi i tij, i Sali Berishës. Sepse shqiptarët e shqiptaret e vitit 2009, socialistëve e demokratëve të ndershëm të këtij vendi, u duhet një shtet demokratik, i fortë, modern, që nuk punon as për llogari të një familjeje të vetme e as për interesat e një partie, por për tryezën e bukës së çdo familjeje shqiptare dhe për interesat e një Shqipërie të tërë.Â

Shqipëria nuk do që të dëgjojë më se kush është më i keqi në këtë telenovelë pafund sharjesh e shpifjesh, për të mbuluar të vërtetat e hidhura. Shqipëria do të dëgjoj më në fund kush janë zgjidhjet për problemet e saj pas këtij tranzicioni pafund, ku pushteti është ndërruar disa herë, në emër të së majtës e të së djathtës, ndërsa vetë Shqipëria është përplasur sa majtas e sa djathtas, pa gjetur dot ekuilibër mbi themelet e shtetit të të gjithë qytetarëve të saj, që ne do të fillojmë të ndërtojmë nga 28 qershori. Â

Sa për t'ju dhënë një ide për vizionin e Sali Berishës, për mënyrën se si duhet të funksionoj makina qeverisëse, ku ai ka urdhëruar në tre vjet, 64 herë ndryshime strukturash të ministrive, ku vetëm struktura e një ministrie është ndryshuar 8 herë, pra deri në 3 herë brenda një viti.

Pse? Që në qeverinë e ministrive që mbahen në këmbë me taksat tuaja, socialist e demokrat të ndershëm, të ulen e të bëjnë punë për një grusht njerëzish, ata të cilët nuk kanë asnjë meritë tjetër, përveç mbylljes së syve përpara asaj që shohin, të mbylljes së veshëve përpara asaj që dëgjojnë dhe mbylljes së gojës përpara asaj që ju vjen të thonë. Është koha ta kthejmë faqen e historisë së një shteti që merr formën e enës së interesave e të tarafeve të pushtetit të radhës, duke ndërmarrë së bashku rrugën jashtëzakonisht të vështirë, por absolutisht të pashmangshme të një reforme rrënjësore të qeverisjes.Â

Qeveria jonë do të ndryshojë rrënjësisht nga qeveria që mbyll në 28 qershor kontratën e saj të parinovueshme me popullin shqiptar. Unë do të jem kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre, e cila nuk bëhet në kutinë e televizorit për arsyet që na ndajnë në emër të së shkuarës, por mes njerëzve për zgjidhjet që na duhen në drejtim të së ardhmes. Qeverisja jonë do t'u jap mbrojtje të varfërve, do t'u jap krahë të papunëve, do t'u jap mbështetje sipërmarrësve, do t'u jap shpresë të rinjve, do t'u jap solidaritet të moshuarve, do t'u jap dinjitet të nëpërkëmburve, bujqve, minatorëve, ushtarakëve të liruar, personave me aftësi të kufizuar, grave të trafikuara e të dhunuara, minoriteteve.Â

Ne do t'u japim siguri shqiptarëve në jetë e në punë dhe do të jemi garantë të jetës e të pronës së tyre publike e private, duke mbështetur fort, politikisht e financiarisht, një sistem gjyqësor që do të njohë përfundimisht hapësirë e lirisë së vet kushtetuese, duke çliruar përfundimisht mediat nga zinxhirët e padukshëm që frenojnë zhvillimin e pavarësimin e tyre të plotë, duke reformuar radikalisht forcën policore të shtetit. Shqipëria e mbi dhjetë policive që veprojnë tërësisht të çakorduara dhe e stimulojnë në vend që ta frenojnë kaosin e veprimtarisë së paligjshme në territor, do të mbarojë në 28 qershor, kur do të fillojë ristrukturimi i të gjithë forcës policore. Jo më policira të shumëllojshme, por një polici e vetme, Policia e Shtetit Shqiptar. Nuk do të përfshihen në organikën e saj, për specifikat e tyre të veçanta, vetëm Policia Bashkiake dhe ajo e burgjeve.Â

Pas 28 qershorit policia e Shtetit Shqiptar, do t'i përgjigjet në mënyrën më shembullore sfidës së vendosjes së ligjit në të gjithë territorin, duke u angazhuar krah për krah me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, për të mbrojtur jo vetëm jetën e tyre nga krimi e nga aksidentet e shmangshme, por edhe këtë pasuri të përbashkët që quhet Shqipëri dhe që prej 18 dhjetësh bëhet copa e çika prej një agresioni të pashembullt mbi rrugët, zonat e banuara, plazhet, pyjet, lumenjtë, tokën bujqësore, prodhimin e saj energjetik e burimet e saj natyrore.Â

Motra e vëllezër, përpara nesh është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë histori,duke treguar se s'jemi as më pak të mençur, as më pak të vullnetshëm, as më pak të gatshëm për të bërë sakrifica se sa fqinjët tanë evropianë. Këtë të vërtetë që njerëzit tanë, në emigracion, im vëlla, vëllezërit motrat, djemtë e vajzat e tuaja, e kanë afirmuar në realitetin konkurrues të botës së lirë, si individë që sot kanë mundur paragjykimet e asaj bote për shqiptarët, duke jetuar e punuar krah për krah amerikanëve, italianëve, grekëve, gjermanëve, e të tjerëve, për vete e për ekonominë e atyre vendeve të mëdha, është koha ta afirmojmë si një popull i vetëm këtu, në vendin tonë, për vendin tonë.Â

Të afirmojmë Shqipërinë, të cilës Zoti i ka falur gjithçka na duhet për të jetuar në paqe e mirëqenie, sigurisht të ndarë në pikëpamjet tona se si mund të bëhet më e mira për të gjithë, por të bashkuar në bindjen se nuk ka një Shqipëri të majtë e një Shqipëri të djathtë në konflikt me njëra-tjetrën, por ka vetëm një Shqipëri, ku problemet e dinjiteti i zgjedhësve të majtë e të djathtë, nuk mundet më të anashkalohen për hir të interesave të luftës për pushtet mes politikanëve majtës e djathtas. Ka vetëm një Shqipëri, ku është koha për të kthyer faqen e historisë, duke e kthyer politikën nga një mjet përfitimi për një grusht politikanësh, në një instrument ndryshimi në duart e çdo qytetari e qytetareje. Ka vetëm një Shqipëri, ku asnjë shqiptar e shqiptare s'duhet të ndjehet keq për shkak të moshës, gjinisë, fesë, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes krahinore apo përkatësisë partiake a simpatisë politike. Ka vetëm një Shqipëri, ku muret e larta të dasisë së vjetër politike mes njerëzve duhet të bien dhe hendeqet e konfliktit e të sherrit të politikës së vjetër mes përfaqësuesve të njerëzve duhet të mbyllen. Ka vetëm një Shqipëri, ku akuzat e pavërteta ndaj tjetrit nuk quhen burrëri, ku shpifjet për tjetrin nuk quhen virtyt, ku fyerja e tjetrit dhe e njerëzve të tij të dashur nuk quhet guxim.Â

Këtë Shqipëri të njerëzve të thjeshtë e të mirë të këtij vendi, unë dua ta ngjis bashkë me ju në pushtet. Për këtë Shqipëri të çdo shqiptari e shqiptareje që kërkon të jetojë normalisht, unë dua të luftoj krah për krah me ju. Kësaj Shqipërie të qytetarëve e qytetareve, që meritojnë respektin e munguar prej 18 vjetësh, unë dua t'i japim së bashku një politikë të re të ndryshimit, përmes një qeverie që do ta udhëheqë ndryshimin jo duke mos bërë asnjë gabim, por duke mos përsëritur asnjë nga gabimet e së shkuarës, të bëra pa pushim në gjithë këto vite.Â

Në 28 qershor ndahen dy rrugë. Nga njëra anë rruga e vjetër e këtyre 18 vjetëve, që do të thotë edhe 4 vjet të tjera në botën e vjetër të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura. Dhe nga ana tjetër rruga e re, e një historie të re, që kërkon zemër e kurajë për të parë larg, aty ku panë të parët tanë, që na lanë amanetin e Shqipërisë zonjë dhe aty ku na çojnë këmbët e brishta të ëndrrave të fëmijëve tanë, të cilëve u kemi borxh një atdhe ndryshe nga ky që kemi sot.Â

Le ta ndërmarrim së bashku këtë rrugë të re dhe së bashku të shkruajmë një faqe të re historie, ku dashuria e mirëkuptimi të fitojnë mbi urrejtjen e dasinë, talenti dhe forca e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi të fitojnë mbi mediokritetin dhe arrogancën e zakonshme të politikës në këtë vend. Shqipëria jonë të fitojë një frymëmarrje të re, në një kohë të re evropiane.Â

Tani ju meritoni fjalinë e fundit. Kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë.

(*) Fjala e mbajtur në Konferencën Kombëtare të Programit të PS

KOMENTE