Tiranë, 17 maj NOA - Sekretari Politik i PLL-së, Sulejman Gjana ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku prezantoi Programin Elektoral të PLL për zgjedhjet e 28 qershorit.
"Programi ynë bazohet në 4 shtylla kryesore që janë, parimet demokratike, politike dhe shteti i së drejtës, ekonomia, politika sociale dhe politika e jashtme" u shpreh Gjana.
"PLL synon ndër të tjera që të dënohet zyrtarisht sistemi komunist, ideatorët dhe aparacikët e atij sistemi dhe të dëmshpërblehen dhe rehabilitohen të gjitha viktimat e diktaturës komuniste duke krijuar lehtësira për shkollimin dhe punësimin e këtyre shtresave, duke u dhënë përparësi në përfitimin e bursave shtetërore dhe duke hequr të gjitha detyrimet shoqërore për personat që do të punësohen në firmat private" shtoi më tej Gjana.
Sipas tij PLL do të stimulojë integrimin e diasporës shqiptare nëpërmjet njohjes dhe dhënies së shtetësisë shqiptare automatikisht dhe pa procedura administrative për të gjithë refugjatet politik të para viteve 90 dhe familjaret e tyre.Â
Gjana shtoi se "sektorët prioritare për PLL janë biznesi i vogël, ndërtimi, bujqësia dhe blegtoria, turizmi, energjia dhe minierat. PLL do të krijoje kushte të favorshme për zhvillimin e këtyre sektoreve duke hequr ose ulur taksat dhe detyrimet shoqërore dhe duke ofruar kredi pa interes për shumë ndërmarrje dhe biznese aktive në këto sektorë".
Në deklaratën e tij Gjana bëri të ditur se PLL do të kërkojë nga Greqia që të abrogojë zyrtarisht ligjin famëkeq të luftës, që të garantojë kthimin e të gjitha të drejtave çameve autokton në tokat e tyre dhe që të pajisen të gjithë emigrantët ekonomik shqiptar me dokumente dhe leje qëndrimi të rregullta.
k.k/NOA