English

Rikthehet në Shqipëri Koka e Zeusit, grabitur në vitin 1991

Romë, 17 maj/NOA - Në mjediset e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë, u kurorëzua me sukses përpjekja shumëvjeçare e autoriteteve shqiptare dhe komunitetit shkencor për rikthimin në atdhe të objektit arkeologjik Koka e Zeusit-Asklepius, grabitur nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit në vitin 1991.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë e përfaqësuar nga Ambasadori z. Llesh Kola, nën kujdesin e tij, organizoi me këtë rast një ceremoni me të ftuar të shumtë, ku merrnin pjesë drejtuesit e Karabinierisë Italiane të Mbrojtjes së Pasurisë Kulturore.

Ata sollën me ceremoni objektin, si dhe përfaqësuesit e delegacionit zyrtar të MTKRS, z. Ekrem Spahia, zv. Ministër i TKRS dhe z. Ylli Cerova, Drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ceremonia u përcoll nga një numër i madh qytetarësh shqiptarë e italianë, artistë, shkrimtarë, piktorë, gazetarë, televizione, ushtarakë, miq e studentë si dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë.

Fjalën e rastit e mbajti Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Llesh Kola, pasuar nga fjala e zv. Ministrit të MTKRS Ekrem Spahia dhe Ylli Cerova, Drejtor i Pakut Kombëtar të Butrintit.

Më pas ka folur Massimo Rossi, shtetasi italian që i dorëzoi objektin shtetit shqiptar.

Që të gjithë të pranishmit, theksuan rëndësinë e këtij kthimi dhe falënderuan autoritetet përkatëse si dhe të gjithë ato që punuan për përfundimin e kësaj procedure dhe përcjelljen dinjitoze të këtij objekti me vlera unikale në Shqipëri.

Me këtë rast, nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardjan Turku, ditën e Hënë, dt. 18 Maj 2009, ora 12.00 në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, objekti i rikthyer në Shqipëri pas një kohe të gjatë përpjekjesh të autoriteteve të MTKRS, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera shqiptare e të huaja, do të paraqitet përpara mediave dhe publikut.

a.k/NOA

KOMENTE