English

Vizat, si një barrierë që duhet të marrë fund

Nga Ditmir Bushati

Politika e jashtme dhe procesi i integrimit Evropian janë pjesë e pandarë, ku politika e jashtme në qeverisjen e re do të zë padyshim një vend të rëndësishëm.

Krahas rritjes cilësore të përfaqësimit diplomatik, sidomos në funksion të procesit të integrimit europian, një ndryshim rrënjësor do të ketë shërbimi konsullor, i cili do të bëjë që të gjithë bashkëatdhetarët tanë që jetojnë jashtë të prekin efektet e këtij ndryshimi të ri.

Procesi i integrimit Europian të Shqipërisë është thelbësor për zhvillimin dhe transformimin e vendit. Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit përmes reformave të qëndrueshme që synojnë përfundimin e tranzicionit, konsolidimin e demokracisë e shtetit të së drejtës, krijimin e një ekonomie tregu funksionale të aftë për të përballuar forcat e konkurrencës dhe zbatimin e standardeve europiane në jetën e përditshme, do të mundësojnë rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, duke e kthyer procesin e Integrimit Europian në aksin e politikave zhvillimore të vendit.Â

Ne do të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet 42 standardet e trupëzuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave që kanë të bëjnë me: Sigurinë e dokumenteve; Migracionin ilegal, Menaxhimin e Integruar të Kufijve dhe Politikat e Ripranimit; Rendin Publik dhe Sigurinë përmes luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale dhe shtrëngimit të ligjit.

Lëvizja e lirë brenda hapësirës Shengen do t'i krijojë mundësi të jashtëzakonshme studentëve dhe kërkuesve shqiptare për të përfituar nga programet e shkëmbimit me universitetet europiane, do ti krijojë mundësi sipërmarrësve shqiptarë të eksplorojnë tregun rajonal dhe atë europianë, duke konkurruar denjësisht me shërbimet e tyre. Mbi të gjitha, do t'i krijojë mundësi qytetarëve shqiptarë të njohin më mirë e të përqafojnë vlerat europiane.

Paralelisht me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE dhe përgatitjen për fillimin e negociatave për anëtarësim, ne do të përshpejtojmë reformat që synojnë menaxhimin në mënyrë të decentralizuar të fondeve të para aderimit që kanë të bëjnë me zhvillimin rajonal, rural dhe zhvillimin e burimeve njerëzore.

Fondet e Para Aderimit do t'i mundësojnë fermerit apo bizneseve të agro-përpunimit mbështetje financiare direkte, duke stimuluar forcimin e tregjeve dhe grupimin e prodhuesve për prodhimin me standarde, cilësi e sasi.

Sfida jonë nuk do të jenë vetëm rrugët e shtruara, por ndërtimi i rrugëve në përputhje me standardet europiane që garantojnë sigurinë e jetës, mbrojtjen e mjedisit, aksesin në tregje rajonale dhe ndihmojnë zhvillimin e industrisë së turizmit dhe agropërpunimit.

Përmes këtij procesi, ne do të ndryshojmë rrënjësisht konceptin e qeverisjes, duke fuqizuar kapacitetet administrative, ndërtimin e një sistemi kapilar komunikimi e bashkëveprimi me njësitë e pushtetit vendor, botën akademike, biznesin e shoqërinë civile, duke njohur rolin e tyre të pazëvendësueshëm në procesin e zhvillimit ekonomik e social të vendit. Përmes zbatimit të politikave të reja transformuese, ne do të përmirësojmë nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë, duke e kthyer shpresën dhe besimin se atdheu jonë është vendi ku gjithsecili mund të ndërtojë të ardhmen e tij.

KOMENTE