Tiranë, 18 maj/NOA - Partia Socialiste përmes një prej deputetëve të saj, Erion Braçe, vlerësoi sot se shqiptarëve po i mohohet nga qeveria e Berishës, shansi që dhanë vende të Bashkimit Evropian.
"Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, që përfaqësohen me selitë e tyre diplomatike këtu, i kanë dhënë një shans Shqipërisë dhe shqiptarëve, iu kanë dhënë një sërë detyrimesh që qeveritë e Republikës së Shqipërisë duhet t'i përmbushnin gjatë gjithë kësaj periudhe".
Braçe thirri kamerat tek rruga e ambasadave në Tiranë, ku edhe theksoi se sipas tij një mundësi që të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, është mohuar për shqiptarët për muajt në vazhdim.
"Gjendemi sot përpara vlerësimeve negative që vijnë pikërisht për këtë arsye, të mospërmbushjes së detyrimeve që Bashkimi Evropian i ka vendosur Republikës së Shqipërisë për të garantuar lëvizjen e lirë dhe mospërmbushjes së këtyre detyrimeve", ishte citimi i Braçes.
Ndaj ai kërkoi që "t'i japim fund mungesës së përgjegjshmërisë së qeverisë dhe të Sali Berishës përballë detyrimeve që burojnë nga Bashkimi Evropian dhe që i garantojnë shqiptarëve më në fund lëvizjen e lirë të tyre".
Për këtë PS, kërkon që në zgjedhjet e pritshme të votohet nga shqiptarët për këtë forcë politike, duke premtuar heqjen e vizave, nëse ajo do të vijë në pushtet.
e.l/NOA