Prishtinë, 18 maj, NOA - Forcat kryesore politike në Kosovë janë ftuar sot në takim nga presidenti Fatmir Sejdiu për të filluar bisedimet rreth përgatitjeve për zgjedhjet lokale.
Bëhet e ditur se përfaqësuesit e partive politike do të diskutojnë me presidentin për caktimin e datës së zgjedhjeve, që do të mbahen këtë vjeshtë. Dy partitë më të mëdha në pushtet, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohen që zgjedhjet të mbahen në muajin nëntor, ndërsa partitë opozitare një muaj më herët. Kjo për shkak të kushteve atmosferike, të cilat sipas opozitës në muajin nëntor mund të ndikojnë që më pak votues të dalin në vendvotime. Fillimi i konsultimeve për zgjedhjet lokale bëhet pas kritikave të vazhdueshme të opozitës se presidenti po zvarrit bisedimet për caktimin e datës. Por Sejdiu ka hedhur poshtë këto kritika, të cilat sipas tij, janë të pabaza. Ai ka thënë se sipas kushtetutës, data e zgjedhjeve duhet të caktohet nga Presidenti, në pajtim me subjektet politike 4 deri në 6 muaj para mbajtjes së tyre, që nënkupton se afati ligjor po respektohet.
n.e/NOA