Tiranë, 18 maj NOA - G99 reagoi sot në lidhje me një raport të fundit të Komisionit Europian, të bërë publik dje sipas të cilit, Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standardet në mënyrë që shqiptarët të mund të udhëtojnë lirshëm në Europë, pa viza.
Arbi Mazniku u shpreh sot në një konferencë për shtyp se "ne qytetarët shqiptarë do të mbetemi pas murit Shengen, por këtë herë jo për faj të Europës e ambasadave, por vetëm për shkak të paaftësisë së qeverisë sonë për të arritur standardet e nevojshme".
Mazniku sqaroi se G99 i ka kërkuar qysh vitin e kaluar qeverisë që të bëjë transparente hartën e udhëzimeve për liberalizimin e vizave si dhe të raportojë para qytetarëve për progresin në reforma.
"Por ato që nuk morëm dot vesh nga qeveria", shtoi ai, "po i marrim sot
vesh nga Komisioni Europian, qeveria shqiptare ka mbetur në klasë, duke u
mohuar shqiptarëve të drejtën që në qershor ashtu si maqedonasit e serbët,
të levizin lirshëm në BE".
Por ka akoma një lajm të mirë, kësaj qeverie i kanë mbetur vetëm 40 ditë,
ndaj sot na duhen dhe vetëm 40 ditë kurajo, 40 ditë shprese dhe 40 ditë
durimi, deri në momentin e ndryshimit të madh për Shqipërinë.
k.k/NOA