Tiranë, 18 maj NOA - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur sot se kanë përfunduar sot testimet me shkrim i kandidatëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë.
"Në ambientet e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, ditën e sotme u zhvillua testimi me shkrim i kandidatëve nga qarqet Elbasan dhe Korçë, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për "Patrullë të Përgjithshme". Këtij testimi ju nënshtruan 100 aplikantë nga këto qarqe dhe në përfundim të konkurrimit të ditës së sotme u shpallën fitues të testimit me shkrim 41 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë" thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit,
Korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. Kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t'i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues të testimit me shkrim të zhvilluar sot, do t'i nënshtrohen testimit fizik me datën 19 maj 2009, në orën 08.00 në Stadiumin e qytetit të Elbasanit. Aplikantët duhet të paraqiten në ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. "Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për gjithë të interesuarit bëjmë me dije se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit" përfundoi deklaratën Policia e Shtetit. k.k/NOA