Tiranë, 18 maj NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave një delegacion deputetësh të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë, të cilët shoqëroheshin nga Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Borhard.
Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve, duke theksuar faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. Topi bëri një përshkrim të shkurtër të reformave të ndërmarra në vend si reforma në drejtësi, ajo ekonomike, zgjedhore, etj., me synim përmbushjen e standardeve integruese.
Kreu i Shtetit theksoi "rëndësinë e madhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat duhet të jenë të lira, të drejta e të pakontestuara, në mënyrë që të kapërcehet me sukses edhe ky gur prove i plotësimit të standardeve integruese". Në takim u diskutua edhe situata në rajonin e Ballkanit, duke vënë theksin në ndryshimin e realitetit gjeo-politik, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e shumetnik, dhe vendosjes së një klime të re dialogu politik e bashkëpunimi ekonomik me qëllim integrimin e gjithë vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike. Parlamentarët gjermanë vlerësuan arritjet dhe transformimin e madh të pësuar nga vendi ynë gjatë viteve të fundit, dhe shprehën vullnetin për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat si për sa i përket rritjes së dialogut politik dhe bashkëpunimit ndër parlamentar, ashtu edhe shkëmbimeve ekonomike, në fushën e kulturës, kërkimeve shkencore etj.
k.k/NOA