Tiranë, 18 maj/NOA - Rruga tek "Bregu i Lumit", e cila ndodhet në pjesën veri-lindore të qytetit të Tiranës, në kufi me komunën Laknas dhe pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake Nr. 11, tashmë është plotësisht e rikonstruktuar.
Kryebashkiaku Rama, duke folur sot në përurim, e ka cilësuar votën e 28 qershorit, si një mundësi që qytetarët të shohin në mbarë vendin, atë transformim që sot ndihet në Tiranë.
"Me votën e 28 qershorit, banorët e kryeqytetit në të gjitha skajet e tij, në çdo periferi edhe në qendër do të kenë jo vetëm një bashki që punon ditë e natë për ta, por edhe një qeveri kombëtare që do t'i kthejë sytë nga problemet e tyre dhe një Kryeministër, i cili njeh me imtësi të gjitha anët e punës dhe të gjitha problemet që ka kryeqyteti", - tha Rama.
"Në këtë mënyrë, - vijoi ai, - kryeqytetasit do të kenë mundësi që në katër vitet e ardhshme, të shohin një transformim që sot është po aq i paimagjinueshëm sa ç'ishte transformimi i Tiranës në të gjithë këto vite, kur ne e nisëm vërtet nga zeroja".
Një financim prej 27.153.189 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës ka mundësuar ndërhyrjen në këtë segment rrugor, i cili para fillimit të punimeve ndodhej në gjendje mjaft të amortizuar.
Rikonstruksioni i këtij segmenti ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën rrugore, duke përfshirë gjithashtu zgjerimin e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, si dhe realizimin e trotuarëve në të dyja anët.
Po ashtu është ndërtuar rrjeti i ri i ujërave të bardha si dhe rrjeti i ri i ndriçimit rrugor i cili më parë nuk ekzistonte, përmes vendosjes së 20 ndriçuesve të lartë.
Përsa i përket gjelbërimit, si një komponent me rëndësi në plotësimin dhe krijimin e një infrastrukture sa më të përshtatshme për banorët e zonës, janë mbjellë 130 pemë bliri aromatik, në të dy anët përgjatë rrugës.
a.k/NOA