English

Topalli takohet me deputetin e Bundestagut gjerman, Valter Kolbou

Tiranë, 18 maj NOA - Kryetarja e Kuvendit priti sot në një takim deputetin e Bundestagut gjerman, Valter Kolbou.

"Ju keni ecur shumë përpara vitet e fundit dhe ndryshimet që keni bërë janë arsye e fortë për të qenë optimistë për të ardhmen tuaj në BE," tha sot Valter Kolbou, përfaqësues i grupit parlamentar PSD në Bundestagun Gjerman, në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli.

Nga ana e saj Topalli u shpreh se "për ne, partneriteti me Gjermaninë është shumë i rëndësishëm dhe tashmë pas anëtarësimit në NATO, ne jemi të lumtur që do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe aleancën me vendin tuaj që na ka mbështetur gjithmonë'

"Ne jemi shumë të interesuar të intensifikojmë bashkëpunimin jo vetëm mes dy parlamenteve por mes dy vendeve tona", tha Kolbou

"Shqipëria, ka bërë ndryshime të mëdha në një kohë shumë të shkurtër. Për ne, anëtarësimi në NATO ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme, fryt i reformave të bëra, i vullnetit maksimal. Gjatë këtij mandati të parë, kemi ndërmarrë reforma të guximshme ligjore dhe ekonomike. Buxheti është dyfishuar, kemi rritur pagat e pensionet, investimet kanë qenë kolosale dhe rritja ekonomike vazhdon të jetë pozitive" u shpreh më tej kryeparlamentarja Topalli.

Sipas saj në fokus tashmë janë zgjedhjet e përgjithshme dhe s'ka gjë më të rëndësishme se realizimi i zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur.

"Jemi optimist për këtë sepse kemi arritur të krijojmë një infrastrukturë moderne zgjedhore të standardeve shumë të larta" tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit tha se "përqendrimi është në liberalizimin e vizave dhe do të bëjmë të gjithë përpjekjet për të përmbushur së shpejti këtë ambicie tonën dhe të të gjithë shqiptarëve."

Duke ofruar gjithë mbështetjen e Gjermanisë, dhe duke uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare,  Kolbou shprehu interes për të forcuar më tej bashkëpunimin jo vetëm politik por edhe atë ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fusha si turizmi, energjia apo infrastruktura.

k.k/NOAÂ

KOMENTE