Tiranë, 18 maj/NOA - Pas 18 vjetësh Shqipërisë i kthehet një nga objektet më të rralla arkeologjike, Koka e Zeusit-Asklepius, grabitur nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit në vitin 1991.
Ky objekt është rikthyer në Shqipëri pas një kohe të gjatë përpjekjesh të autoriteteve të MTKRS, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera shqiptare e të huaja.
Në fjalën e tij Ministri i TKRS-së, Ardian Turku tha se Koka e Zeusit që sot i përket shtetit shqiptar si poseduesi ligjor i tij, është një nga shembujt më të spikatur të këtij trafiku të paligjshëm.
Kurse garantoi se që sot e tutje do të jetë edhe një nga shembujt e spikatur të angazhimit serioz dhe me përkushtimit të një shteti palë të Konventës së UNESCO-s siç është Italia dhe Shqipëria.
Ministri Turku falënderoi gjithashtu përfaqësuesit e palës italiane: Gjykatën e Romës, për korrektesën dhe shpejtësinë e veprimeve, Karabinierinë Italiane, për punën dhe për përkushtimin e tyre profesional dhe serioz, përfaqësuesit e Ministrisë së Pasurive Kulturore, dhe veçanërisht z. Rossi, tashmë ish-pronar të objektit për vullnetin e mirë, mirëkuptimin dhe gatishmërinë që ka treguar në gjithë këtë proces për t'ia kthyer palës shqiptare një objekt të cilin ai e kishte blerë sipas të gjitha rregullave në fuqi.
"Gjithashtu gjej rastin të falënderoj edhe qytetarët shqiptarë, futbollistët Lorik Cana dhe Igli Tare, për ngurtësimin e shumës financiare për kthimin e objektit deri në pagimin e tij nga shteti shqiptar", - theksoi Turku.
Rikthimi i Kokës së Zeusit, një vepër e grabitur, shënon një rast pozitiv për t'u vlerësuar, të angazhimit të shoqërisë civile në mbrojtjen e pasurisë kombëtare.
a.k/NOA