Bruksel, 19 maj, NOA - Bashkimi Evropian vlerëson se Shqipëria ka bërë njëfarë në kryerjen e disa reformave, por gjithsesi, parashtron se ajo ka nevojë të mëtejshme për forcimin e shtetit ligjor, forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Sikundër, BE parashtron ndër të tjera si nevoja akute për Shqipërinë edhe depolitizimin e administrates publike dhe garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur.
Të gjitha këto këshilla, të cilat nuk është hera e parë që jepen nga ekspertët evropianë, janë dhënë në përfundim të Këshillit të Parë të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Në deklaratën e përbashkët, një vend i posaçëm i lihet edhe faktori "zgjedhje", për të cilat nënvizohet se duhet që të jenë patjetër të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet e caktuara, duke përfshirë edhe përmbushjen me çdo kusht të kriterit të pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaporta.
"Bashkimi Europian bën të ditur se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe mbetet një problem serioz në Shqiperi. Edhe koordinimi në luftën kundër korrupsionit mbetet i dobët dhe duhet të forcohet", theksojnë në deklaratën e tyre të përbashkët për arritjet e kryera nga Shqipëria, anëtaret e 27 vendeve të BE-së. Vetëm para pak javësh Shqipëria aplikoi për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, por duket se kjo nuk qenka dhe aq e mjaftueshme për të mos u kritikuar më nga evropianët lidhur me ecurinë e reformave. Brukseli edhe dje e ka thënë qartë se Shqipëria nuk mund të pretendojë të përfitojë anëtarësim të plotë deri në vitin 2015, në rast se nuk plotëson reformat e lartpërmendura.
n.e/NOA