Durrës, 19 maj NOA/Update - Në vdekje klinike në spital, gjendet 39-vjeçari Agron Bodlli i cili u plagos sot pas mesdite nga pronari i një hoteli në Plazhin e Durrësit, informuan burime spitalore, pak orë pasi kishin deklaruar se viktima ndërroi jetë.
Ngjarja ndodhi sot në plazhin e Durrësit rreth orës 14.35, në afërsi të hotel "Drenicës". Policia e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje bëri të ditur se Bodlli ndodhej bashkë me familjarët e tij ku po punonte në ndërtimin e një objekti në plazh kur është qëlluar me çifte.
Policia mori në pyetje familjarët e viktimës si dhe dëshmitarët e ngjarjes për të identifikuar dhe zbuluar autorin e shkaqet e ngjarjes.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se nga hetimet e dyshohet se autori dhe viktima kanë qenë në konflikt për çështje pronësie.
Sipas policisë autori i dyshuar i ngjarjes është Gani Kapiti, 50-vjeç, pronar i hotel "Drenica"në Plazh, i cili është shpallur në kërkim.
Ndërkohë që sipas dëshmitarëve në vendngjarje Gani Kapiti është grindur fillimisht me 39-vjeçarin, Agron Bodlli për shkak të një konflikti për motive pronësie që kishte nisur kohë më parë mes tyre.
Pas fjalëve të ndërsjella, Kapiti ka zbrazur çiften që kishte në dorë në drejtim të 39-vjeçarit duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë.
I plagosuri i transportuar menjëherë në spital por tani gjendet në sallën e operacionit në vdekje klinike, për shkak të një plumbi që kishte marrë në kokë.
Burime nga policia thanë se i dyshuari pretendonte se vendi ku 39-vjeçari po ndërtonte një objekt ishte pronë e tij, por të njëjtën gjë pretendonte edhe Bodlli.
Por të njëjtët burime shtuan se ende nuk kanë një version përfundimtar për shkakun e ngjarjes dhe po punohet për të zbardhur me saktësi motivin i cili paraprakisht sipas familjarëve të viktimës, është një konflikt pronësie që ka nisur më herët mes të dyshuarit dhe Bodllit.
k.k/NOA
Â