English

Leku vazhdon zhvlerësimin, një euro po shitet me 133 lekë

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 19 maj/NOA - Monedha vendase vijon zhvlerësimin e pandalshëm që nga fillim viti duke arritur që një euro të këmbehet me 133 lekë.

Ajo çfarë pritet të ndodhë sipas ekspertëve të ekonomisë është fakti se edhe për muajin qershor parashikohet një forcim i mëtejshëm i monedhës evropiane.

Kjo për faktin se shqiptarët do kërkojnë euro për të kaluar pushimet jashtë vendit.

Sipas ekonomistit Gjergj Filipi, zhvlerësimi i lekut do të vijojë gjatë blerjeve të paketave turistike, për të arritur në një ekuilibër gjatë periudhës korrik-gusht 2009, kohë kur emigrantët kthehen për të kaluar pushimet.

Por a do të stabilizojë kursin e këmbimit sezoni turistik apo kthimi i emigrantëve gjatë kësaj vere? Përgjigja ka pak optimizëm.

Filipi argumenton më tej se ky vit nuk është një vit i zakontë. Një pjesë e emigrantëve kanë humbur vendet e punës dhe rrjedhimisht kanë më pak para për të shpenzuar, në rast se do të vijën për pushime.

Nga ana tjetër edhe sezoni turistik nuk pritet të ketë fluks të madh, pasi situata zgjedhore që shoqëron këtë verë por edhe kushtet infrastrukturore nuk pritet te thithin shumë turistë.

Sipas eksperteve në agjencitë e këmbimit valutor rreziku më i madh mbetet periudha pas vere, kohe kur euro parashikohet të forcohet ndjeshëm.

r.l/k.k/NOA

KOMENTE