English

Sali Berisha, SMS qytetarëve: Ju lutem, më thoni ç'doni t'ju bëj në 4 vitet e ardhshme

Tiranë, 19 maj/NOA - Kryeministri Sali Berisha ka përzgjedhur kompaninë më të re të telefonisë celulare Eagle, për t'i dërguar të gjithë abonentëve të saj sot, nga një SMS ku i kërkon të shprehin dëshirat e tyre që thotë se do t'ua realizojë gjatë katër viteve të ardhshme nëse do të marrë një mandat të dytë qeverisës.

Në fillim të SMS (Mesazh i shkruar celular), Berisha bën një panoramë të gjerë me gjuhën e shifrave të arritjeve sipas tij në katër vitet e mandatit aktual si kryeministër.

Duke i njohur meritën dhe qytetarëve shqiptarë në tërësi, Berisha i shkruan abonentëve të Eagle në SMS-në treshe, se "së bashku eliminuam 204 banda, shpëtuam nga korrupsioni katër miliardë dollarë, rritëm dhe dyfishuam rroga dhe pensione".

Më tej evidenton se "ndërtuam dhe rindërtuam 5 900 kilometra rrugë, 1 012 shkolla, mbi 700 ujësjellës e kanalizime, pesëfishuam investimet, firmosëm 5 miliardë euro investime të huaja, pritëm 2.7 milionë turistë".

Berisha nuk ka harruar në këtë mesazh të gjatë të përmendi dhe fitoren e prillit të këtij viti kur ne u anëtarësuam në NATO, duke premtuar menjëherë më pas, heqjen e vizave me BE, brenda një viti.

"Jemi në NATO dhe brenda një viti do të lëvizim pa viza në Bashkimin Evropian", - thekson kryeministri në SMS-në e tij, dërguar afro 380 mijë abonentëve të Eagle, ndërsa nuk konfirmohet ende nëse mesazhi celular, do t'u dërgohet edhe rreth 2.6 milionë abonentëve të AMC dhe Vodafone.

Në fund, mesazhin përfundon me lutjen: "Të lutem, më shkruaj në 067 20 00410, çfarë të intereson në katër vitet e ardhshme".

e.l/NOA

Teksti i plotë i SMS dërguar nga numër i shkurtër i Eagle Mobile:

Nga Sali Berisha:

Zonjë/Zotëri,

Së bashku eliminuam 204 banda, shpëtuam nga korrupsioni, katër miliardë dollarë, rritëm dhe dyfishuam rroga dhe pensione, ndërtuam dhe rindërtuam 5 900 kilometra rrugë, 1 012 shkolla, mbi 700 ujësjellës e kanalizime, pesëfishuam investimet, firmosëm 5 miliardë euro investime të huaja, pritëm 2.7 milionë turistë.

Jemi në NATO dhe brenda një viti do të lëvizim pa viza në Bashkimin Evropian.

Të lutem, më shkruaj në 067 20 00410, çfarë të intereson në katër vitet e ardhshme.

Me respekt, Sali Berisha

KOMENTE