Tetovë, 19 maj, NOA - Studentët e Universitetit të Tetovës kanë parashikuar që të enjten të dalin në sheshin e Tetovës, nën moton "Të gjithë në mbrojtje të USHT-së" duke protestuar kundër ndarjes së mjeteve për arsimin e lartë.
Studentët kanë theksuar se do shprehin revoltën kundër qeverisë së Maqedonisë e cila ka vendosur ta zvogëlojë buxhetin e USHT-së me 10 milion denarë.
Ky vendim, sipas tyre, mund të rrezikojë funksionimin e këtij institucioni tepër të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedonisë.
"Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT) fton të gjithë studentët, maturantët, profesorët, qytetarët, shoqatat dhe organizatat joqeveritare dhe të gjithë faktorët relevantë në vend që të marrin pjesë në protestën mbarë popullore për mbrojtjen e autonomisë së Universitetit", deklaroi Gadaf Uzeiri, kryetar i Unionit të Studentëve të USHT-së.
Protesta e studentëve është përkrahur edhe nga Partia Demokratike Shqiptare e cila të hënën në një konferencë për shtyp deklaroi është kundër shkurtimit të buxhetit të këtij institucioni. "Për ne është e palogjikshme që qeveria, VMRO-BDI, ndajnë miliona euro për përmendore në sheshin e Shkupit, për heronj të diskutueshëm dhe në anën tjetër zvogëlojnë buxhetin e një universiteti, i cili vetëm ne shqiptarët e dimë se si ka arritur deri këtu. Universiteti Shtetëror i Tetovës të nderuar pushtetarë të VMRO dhe BDI është bërë me shumë mund, me shumë sakrificë dhe me shumë gjak", deklaroi Krenar Lloga - Kryetar i Forumit Rinor të PDSH-së.
NOA-INA