Tiranë, 20 maj / NOA - Mosrespektimi i afatit të dorëzimit të listave të kandidatëve brenda afatit të duhur nga partia më e madhe e opozitës është një shkelje e rëndë ligjore, e cila vë në dyshim seriozitetin e trajtimit të institucioneve nga ana e saj.
Këtë deklarim bëri sot Artur Roshi, kryetar i PBKD (Partia Balli Kombëtar Demokrat).
Sipas tij, Partia Socialiste tregoi se ajo është rrezik për demokracinë.
Roshi theksoi se "demokracia është liri dhe institucione, por tek liria demokratike nuk hyn liria për shkeljen e institucioneve.
Kurse konstatoi se në muajt e fundit kemi vërejtur që PS ka akuzuar mazhorancën për mundësinë e rrezikimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por dje ajo tregoi se kërcënimi real për një proces zgjedhor demokratik është vetë ajo.
Në këtë pikë, Roshi arriti në përfundimin se KQZ (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), nuk duhet t'i kishte pranuar listat e PS, 12 orë pas afatit.
"Pranimi tregon se KQZ është i brishtë përballë tekave të individëve apo grupimeve të caktuara me prirje antidemokratike", - tha Roshi.
Sipas tij, "dje PS i vuri shkelmin organit më të lartë të zgjedhjeve, KQZ, duke mos respektuar vendimin e tij, dhe njëkohësisht i dha një grusht të fortë demokracisë".
Kurse duke përfunduar, kreu i PBKD, shprehu bindjen se "votuesi shqiptar ka fituar maturinë për t'u dhënë përgjigjen e duhur partive që nuk tregojnë respekt për vlerat demokratike".
e.l/NOA