English

Berisha sulmon Ramën: Do të jesh një turp për mbarë Evropën

Nga Alba Filipi

Korçë, 20 maj/NOA - Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Sali Berisha ishte në komunën e Voskopit, në Korçë, për të përuruar fillimin e punimeve të rrugës së Voskopojës.

Berisha pranoi se Shqipëria kurrë nuk do të jetë një vend i zhvilluar, në qoftë se mbarë komunat e vendit nuk janë të zhvilluara.

Këtu kryeministri theksoi se "e kemi ndryshuar Shqipërinë, sepse me reforma të thella së bashku, me punë e mund dhe me djersë bëmë që 27 vende të BE në një kohë rekord të votojnë dhe firmosin MSA-në me Shqipërinë, bëmë që 27 vende të BE në kohë rekord, të pranojnë kërkesën tonë për anëtarësim të plotë në BE".

Këtu, Berisha i bëri thirrje z.Rama "të dalë në krye të listës së partisë, se rregulli qytetar kërkon që fushata të jetë simetrike, që të dy palët të kenë liderët e tyre, të mos bëjë gabimin fatal ta lësh fushën bosh, sepse do të jesh një turp, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Evropën".

Kurse i ka bërë dhe një kërkesë: "Ki kurajën, merr guximin shkëputu nga lejet e ndërtimit, dil në shesh, të dalim me alternativa dhe t'u themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë ne në katër vitet që vijnë".

Më tej, Berisha atakoi sërish Ramën: "Në konferencën e tij, u thoshte grave të reja se do tua bëjë lejen e lindjes 1 vit, ndërkohë që e kemi bërë që në vitin 93. Nuk ka faj se nuk e di se ç'bën. Premtonte sot 197 mijë vende pune, por a mbani mend Fatos Nanon me premtimin për 200 mijë vendet e punës".

a.f/NOA

KOMENTE