English

Edi Rama: Si i kemi përzgjedhur emrat e 140 kandidatëve për zgjedhjet e 28 qershorit

Tiranë, 20 maj, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dalë publikisht në një konferencë për shtyp për të prezantuar listën me 140 emrat, të cilët do të garojnë si kandidatë për të gjitha qarqet e vendit në zgjedhjet e 28 qershorit.

"Pas një procesi të gjatë dhe të qëndrueshëm qëmtimi ne kemi arritur të hartojmë një ofertë të shkëlqyer për zgjedhësit e 28 qershorit, e cila ka parasysh jo vetëm fitoren, por edhe kthimin e saj në një instrument për të realizuar sfidat që kemi para për të cilat jemi gati", u shpreh kryesocialisti për publikun.

Sipas tij, nga 140 kandidatë që përfaqësojnë Partinë Socialiste në të gjithë territorin në këto zgjedhje, 100 prej tyre janë me profesion juristë, mjekë dhe arsimtarë, ndërsa mbi 50 % prej tyre me kualifikime pasuniversitare dhe grada shkencore.

"Sipas listës, 25 % e kandidatëve të saj do të jenë juristë, 16 % ekonomistë dhe 27 % do të jenë arsimtarë. 30 % e grupit tonë parlamentar janë deputetë që rikonfirmohen dhe 70 % janë nga ata që do të hyjnë për herë të parë në Kuvend duke sjellë ide dhe energji të reja. Oferta jonë është më e mirë që garanton se politika jonë e ndryshimit merr një përmasë të re në jetën parlamentare të vendit", shtoi ai.

Më tej, Rama ka pohuar se "PS do të ketë një grup parlamentar me 20 % gra, dhe kjo është mjaft domethënëse, duke treguar se u ofrojmë zgjedhësve jo lista ku gratë dhe vajzat ku ato janë aty vetëm për të plotësuar kuotën e detyrueshme ligjore prej 30 %".

"Nuk kemi ndërtuar lista njerëzish të mbledhur së bashku rastësisht, por kemi ndërtuar ekipe me njerëz që do të përbëjnë ura për realizimin e reformave që na presin", e përfundoi fjalën e tij kryesocialisti Rama mbi prezantimin e 140 emrave të rinj të kandidatëve për zgjedhjet e 28 qershorit.

n.e/NOA

KOMENTE