Fushë-Krujë, 20 maj NOA - Kandidatët Demokristianë për deputet kanë konstatuar në Fushë-Krujë grupe të mëdha sociale rome të cilët nuk figurojnë në regjistrat e gjendjes civile të shtetit.
Nisur nga ky shqetësim kandidatët për deputet, Apollon Bace, Marie Dobra, Meleqe Rrenja, duke marrë shkas dhe nga informacionet e ardhura kanë shkuar në zonën e Fushë-Krujës dhe janë ndeshur përballe realitetit absurd ku shtetasit nuk figurojnë në regjistrat e shtetit.
Kandidatet Demokristian, pasi janë njohur dhe me gjendjen e mjeruar të këtij komuniteti, si dhe vështirësitë e mëdha sociale, kanë nisur veprimin për regjistrimin e tyre duke i regjistruar në dokumentet zyrtare të bashkisë së Fushë-Krujës, që jo vetëm të njihen si shtetas shqiptarë, por edhe të pajisen me kartën e identitetit.
Nisur nga kjo ngjarje në Fushë-Krujë, PDK ka dërguar përfaqësuesit e saj edhe në rrethe të tjera të vendit për të parë se si është situata lidhur me këtë komunitet.
PDK bëri të ditur se rasti i Fushë-Krujës është diskriminues për këtë komunitet, dhe i bën thirrje qeverisë dhe shtetit, për më shumë vëmendje ndaj tyre.
k.k/NOA