English

Kandidon për deputete e PS-së, Vasilika Hysi jep dorëheqjen nga posti i kryetares së Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Tiranë, 20 maj, NOA - Pozicionimi në vendin e parë si kandidate për qarkun e Tiranës në listën me 140 emra kandidatësh të Partisë Socialiste, e ka detyruar Vasilika Hysin që të japë dorëheqjen nga posti që ka mbajtur deri tani.

Vasilika Hysi, kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, me konsensusin e anëtarëve të tjerë të këtij organizimi ka vendosur ta marrë këtë vendim menjëherë pas dorëzimit të listës së Partisë Socialiste, sot në mëngjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

"Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në mbledhjen e tij të fundit, miratoi kërkesën e znj.Vasilika Hysi për t'u larguar nga detyra e Drejtores ekzekutive të këtij Komiteti, për shkak se ajo ka kandiduar si deputete për në Kuvendin e Shqipërisë në listën e paraqitur nga Partia Socialiste", thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit lidhur me një fakt të tillë.

Duke shtuar ndër të tjera se "me ketë rast, KSHH vlerëson kontributin dhe përkushtimin e veçantë që Hysi ka treguar për 9 vjet rresht në detyrën e drejtores ekzekutive të këtij Komiteti.

Më pas, Komiteti Shqiptar i Helsinkit komunikon se është vendosur prej këtij organizmi që vendin e saj ta zërë prof.as.dr. Aurela Anastasi, eksperte në fushën e të drejtës kushtetuese dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

n.e/NOA

KOMENTE